Ditën e martë, më datë 20 janar 2015, ora 12.00, tek salla e konferencave (A3) pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u organizua një takim informues për mundësitë e aplikimit në projektin “SIGMA AGILE - ERASMUS MUNDUS”.
Ky projekt synon risitë, mobilitetet, si dhe rritjen e aftësive për të mësuarit kritik në mjedisin multikulturor të Ballkanit Perëndimor. Projekti i drejtohet pedagogëve, studentëve dhe stafeve administrative të universiteteve të këtij rajoni, pra në këtë kuadër edhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i cili është partner në këtë nismë, së bashku me 20 universitete të tjera të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në takim u diskutua rreth bursave të studimit të cilat mbulojnë: kostot e udhëtimit, sigurimet, pagesat për shkollim, si dhe pagë mujore për të mbuluar shpenzimet e jetesës. Përfshihen të gjitha fushat e studimit që janë vënë në dispozicion nga unversitetet partnere.
Për të pranishmit u sqarua se në website-n e projektit www.sigma.uw.edu.pl gjendet informacion i mjaftueshëm rreth procedurave të aplikimit për studentët, pedagogët, kërkuesit shkencorë dhe stafin administrativ të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë edhe përfaqësues nga Universiteti i Varshavës dhe aplikantë të suksesshëm të viteve të kaluara.
Koordinatore e këtij projekti është dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani.
Në faqen elektronike të mëposhtme mund të gjeni informacion dhe të aplikoni për këtë projekt www.sigma.uw.edu.pl.
- 2283 lexime