Biblioteka Austriake dhe departamenti i Gjermanistikës pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizuan për të gjashtin vit, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, Konsullatën Austriake të Nderit, Shkodër dhe Shkollën Austriake “Peter Mahringer”, aktivitetin kulturor “Austria lexon! Vendtakimi në bibliotekë”. Aktivitetin e hapi drejtuesja e Bibliotekës Austriake Ma. Oriona Zylja, e cila bëri një prezantim të kësaj biblioteke. Në këtë takim folën edhe znj. Gerlinde Tagini (drejtore e Shkollës Austriake), z. Gjergj Liqejza (konsull Nderi i Austrisë në Shkodër). Për të pranishmit u lexua edhe një fjalë përshëndetëse për këtë aktivitet nga ambasada Austriake në Tiranë. Veprimtaria vijoi me prezantimin e një radioprojekti “Balkan Calling”, i përgatitur nga studentët e departamentit të Gjermanistikës, si dhe me leximin e disa poezive të poetit austriak Peter Roseger në shqip dhe në gjermanisht. Nxënësit e Shkollës Austriake u paraqitën me një dokumentar të përgatitur për Shkodrën në gjuhën gjermane, si dhe me prezantimin e librit të fundit të botuar nga Shkolla Austriake. Oriona Zylja solli për të pranishmit disa informacione me foto nga Vjena, ndërsa në fund pjesëmarrësit vizituan një ekspozitë me piktura nga Gazmend Kruja.
- 3059 lexime