Shtëpia

Dt. 23. 10. 2013. Aktiviteti jubilar “Takim ndër vite: 20 vjet Fakultet Ekonomik - Kontribute, Arritje dhe Perspektiva”

“Takim ndër vite: 20 vjet Fakultet Ekonomik-Kontribute, Arritje dhe Perspektiva”, ishte veprimtaria jubilare e zhvilluar sot tek salla e konferencave A3, pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ky aktivitet ishte konceptuar si një takim me studentët dhe pedagogët e Fakultetit Ekonomik ndër vite. Merrnin pjesë akademikë, deputetë, autoritete qendrore e vendore, profesorë të Universiteteve partnere dhe personalitete të sferave të ndryshme, përfaqësues të bizneseve, etj. Takimin e hapi dhe e prezantoi pedagogia Kleida Heta (Tufi). Duke përshëndetur zv.rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. as. dr. Fatmir Vadahi, theksoi: “Gjithnjë momente të tilla bashkimi dhurojnë emocione të veçanta, janë mbresëlënëse dhe shpesh lënë gjurmë të përhershme në kujtesën tonë. Për mua sot është një kënaqësi shumë e veçantë të përshëndes ceremoninë e organizimit me rastin e 20-vjetorit të Fakultetit Ekonomik, një fakultet që është rritur dhe forcuar në të gjitha aspektet, si në aspektin sasior dhe në atë cilësor”. Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani, në fjalën e saj të rastit, ndër të tjera u shpreh: “Do të më pëlqente që në këtë ditë të hedhja dritë mbi rrugën e përshkruar si anëtare e stafit të Fakultetit Ekonomik përgjatë projekteve perëndimore, të cilat kanë pasur një impakt të fuqishëm mbi stafin akademik, studentët, por dhe mbi ekonominë e Rajonit të Veriut në përgjithësi. Që në momentin e hapjes së Fakultetit Ekonomik patëm fatin që të punonim në kuadër të projektit të Departamentit Amerikan të shtetit me Universitetin e Ilinoisit të Jugut, i cili pati një ndikim të fuqishëm mbi Fakultetin tonë, duke filluar në kualifikimet e stafit akademik, pasi ai projekt siguroi mbështetjen e studimeve për marrjen e titullit MBA të 10 anëtarëve të stafit akademik. Duhet theksuar se të merrje një titull Masteri nga një Universitet Amerikan, ishte një oportunitet i madh për vetë anëtarët e stafit, të cilëve rrjedha e karrierës dhe e jetës u ndryshoi në mënyrë drastike, por gjithashtu këto kualifikime patën impakt edhe në rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Ky ndikim u përcoll direkt tek studentët, të cilët do të përdornin që në atë kohë literaturë nga autorët më të njohur amerikanë. Gjithashtu në kuadër të këtij projekti filluan për herë të parë të aplikohen në Universitetin tonë, metodat e matjes së performancës dhe cilësisë në mësimdhënie, nëpërmjet pyetësorëve të studentëve, ku filozofia e vënies së studentëve në qendër të procesit, filloi të aplikohej për herë të parë. Po në kuadër të këtij projekti nga anëtarët e stafit akademik, u realizuan edhe disa studime ekonomike që kishin në fokus zbulimin e potencialeve ekonomike të rajonit të Veriut të Shqipërisë dhe që patën si synim të lidhnin më tepër Fakultetin Ekonomik me komunitetin e biznesit, si dhe të shtonin impaktin e tij në ekonominë e këtij rajoni”. Duke përshëndetur takimin, prof. as. dr. Drita Kruja, e cila foli edhe në cilësinë e Kryetares së Këshillit të Administrimit, vuri në dukje se Fakulteti Ekonomik, është kontribuesi kryesor në të ardhurat e USH-së. Më pas ndanë emocionet e tyre në këtë ditë jubilare edhe drejtoret e departamenteve: dr. Albana Begani (drejtore e departamentit të Administrim-Biznesit), prof.as.dr. Brilanda Bushati (drejtore e departamentit të Turizmit) dhe dr. Blerta Dragusha (drejtore e departamentit të Financë-Kontabilitetit). Ish-rektori i Universitetit të Shkodrës, prof.as.dr. Gjovalin Kolombi, u shpreh: “Sukseset tuaja i kam ndjekur gjatë gjithë kohës dhe sado optimist që kam qenë, nuk do të më shkonte kurrë ndërmend që Fakulteti do të shndërrohej në atë që është sot”. Më tej ai solli kujtimet e tij për fillimet dhe vështirësitë për ngritjen e këtij Fakulteti. Përshëndeti edhe ish-rektori i USH-së, prof. dr. Mahir Hoti, i cili theksoi se kjo është një festë e madhe jo vetëm për Fakultetin tuaj, por për të gjithë Universitetin tonë. “Kam emocione si asnjëherë tjetër, pasi shoh një rrugëtim të suksesshëm ndër vite, që i ka treguesit e qartë”. Deputetja e Shkodrës, prof. dr. Mimoza Hafizi, përcolli dy mesazhe të rëndësishme në këtë veprimtari. Së pari, ajo u ndal tek lidhja e Fakultetit me rajonin e Shkodrës dhe theksoi se ky Fakultet është pasuri e madhe për rajonin tonë. Mesazhi i dytë ishte i natyrës akademike . “Në emër të pedagogëve dhe studentëve të shkëlqyer, kemi si detyrë ta nxjerrim arsimin e lartë nga çoroditja dhe ta vëmë atë në rendin e duhur. Fakulteti juaj e ka potencialin të jetë në sinkron me këtë synim”. Përshëndetën takimin: Prof. dr. Sadije Bushati, prof.as.dr. Mirjeta Beqiri, dr. Edlira Gjuraj, Gyzejla Piroviq, Fatmir Gjeka (këshilltar në Kuvendin e Malit të Zi), Oli Pero, Mr. Ted Oelfke, dr. Mimoza Rroji, Albana Gjyrezi, Mrs. Adriana Galvani. Për të pranishmit u shfaq një dokumentar me inserte fotosh që rrëfejnë historinë e 20 viteve. Për një periudhë disa vjeçare pranë Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër, ka funksionuar Filiali i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Instituti i Lartë Pedagogjik u shndërrua në Universitet më 28 maj 1991. Fakulteti Ekonomik u hap në shtator të vitit 1993, me Vendim nr. 349, datë 10.08.1992 të MASH. Që nga viti 1993 deri në vitin 2000, Fakulteti ka pasur vetëm një degë, atë të Administrim-Biznesit. Ky departament e ka zanafillën si njësi mësimore në përbërjen e Fakultetit të Shkencave të Natyrës të këtij Universiteti. Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.332, datë 13.05.1996, Fakulteti i Ekonomisë fitoi statusin e Fakultetit të pavarur brenda Universitetit të Shkodrës. Në vitin 2000, nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës u miratua hapja e degës Financë-Kontabilitet dhe më 2001 ajo e Marketin-Turizmit. Dega e Turizmit implementoi për herë të parë në Fakultetin Ekonomik sistemin sipas Deklaratës së Bolonjës, që në vitin akademik 2005-2006 me mbështetjen e Konferencës së Rektorëve Gjermanë (HRK). Në vitin akademik 2008-2009 të tri degët e Fakultetit Ekonomik kanë filluar procesin mësimor në Nivelin e Parë të Studimeve, sipas Deklaratës së Bolonjës në sistemin 3-vjeçar. Në vitin akademik 2009-2010 në Fakultetin Ekonomik filloi për herë të parë cikli i dytë i studimeve me Masterin Shkencor në Turizëm të Qëndrueshëm dhe në vitin 2011 filluan programet e Masterit Shkencor në specialitetet e Administrim-Biznesit, Financës dhe Kontabilitetit. Në vitin akademik 2012-2013 u hapën 3 programe Masteri Profesional në Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim-Turizmit, në Administrim-Biznes dhe në Financë-Bankë. Fakulteti i Ekonomisë është instaluar dhe zhvillon veprimtarinë mësimore-shkencore në një trevë me tradita të spikatura në fushën e arsimit, të historisë, të kulturës, si dhe në atë të biznesit. Qyteti i Shkodrës si një pikë e rëndësishme referimi për të gjitha trevat shqiptare në Veri të Shqipërisë dhe më një traditë mijëra vjeçare në tregti, zejtari dhe mikpritje, përbën një terren mjaft të mirë pune për zhvillimin e aktiviteteve mësimore e kërkimore të Fakultetit Ekonomik. Fakulteti i Ekonomisë renditet ndër gjashtë fakultetet përbërëse të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ai ka 3 departamente: Departamenti i Administrim-Biznesit (1993), Departamenti i Turizmit (2005), Departamenti i Financë-Kontabilitetit (2008), ku japin mësim 93 pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm. Ky Fakultet ka organizuar ndër vite 20 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, shumica e të cilave janë botuar. Vlen të theksohet botimi i përvitshëm së bashku me Fakultetin e Drejtësisë i Buletinit Shkencor, seria e shkencave ekonomiko-juridike. Fakulteti Ekonomik ka pasur si objektiv kryesor të punës së tij ndër vite sigurimin e partneriteteve. Sot ai ka një bashkëpunim me 18 universitete perëndimore duke siguruar kështu lidhjen në drejtim të shkëmbimit të pedagogëve dhe të studentëve. Ndërsa rreth projekteve të këtij Fakulteti do të cilësonim: CEPPUS, TEMPUS, ERASMUS – MUNDUS “SIGMA”; projektet e bashkëpunimit me Bashkinë e Shkodrës, me MASH, me Sandhills Community College (SHBA), etj. Gjatë vitit akademik 1996-1997 në vazhdim të një iniciative të Universiteteve Amerikane, studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës, u organizuan në një shoqatë studentore që mori emrin SIFE (Students In Free Enerprise – Studentët në sipërmarrjen e Lirë), të mbështetur nga Qendra e Asistencës së Biznesit (QAB) e ngritur nga Universiteti i Nebraskës, SHBA. Ka më shumë se 11 breza studentësh, që marrin pjesë në SIFE, duke u organizuar çdo vit. Studentët në këtë organizatë kanë pasur shansin të aplikojnë njohuritë teorike të marra gjatë viteve të studimit në Universitet. Në traditën e Fakultetit janë edhe organizimet e panaireve të punës, në të cilat studentët në prag të diplomimit promovohen për një realizim sa më të suksesshëm të praktikës mësimore, si dhe kontributet e gjera dhe të shumëllojshme për rajonin e Shkodrës, ku do të veçonim pjesëmarrjen në hartimin e “Planit strategjik për turizmin e qëndrueshëm në Qarkun e Shkodrës – Drejt qëndrueshmërisë së turizmit”, bashkëpunimin me GTZ për rikonstruktimin e shtëpive të banorëve të Thethit, etj. Gjatë këtij takimi u nderuan me: “Mirënjohja e Universitetit të Shkodrës”, nga ana e Senatit të Universitetit këto personalitete: Prof. dr. Mahir Hoti, prof.as.dr. Gjovalin Kolombi, dr. (PhD) Mimoza Rroji, prof. dr. Sadije Bushati, prof. dr. Esmeralda Uruçi (pas vdekjes), prof. dr. Arjeta Troshani, dr. (PhD) Mirjeta Beqiri, Mr. Sang Lee, Mr. Massimo Bianchi, Mr. Sara Santoro, Mr. Ted Oelfke, Mrs Viktoria Enzenhofer, Mr. Hannes Kniffka, Mrs. Adriana Galvani, me motivacionin “Për kontribut të shquar në krijimin, konsolidimin dhe zhvillimin e Fakultetit Ekonomik të këtij Universiteti”. Po në këtë kuadër u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis Sandhills Community College Pinehurst, North Carolina dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Misioni i Fakultetit Ekonomik ka qenë dhe do të jetë ofrimi i arsimimit universitar, që synon përgatitjen e ekonomistëve dhe menaxherëve të aftë për të kontribuar në drejtimin e bizneseve dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa vizioni i tij është shndërrimi në një Fakultet lider me fokus në një arsimim cilësor dhe në kontributin ndaj zhvillimit ekonomik të vendit. Mbështetës kryesorë për organizimin e kësaj veprimtarie ishin kompania Albtelecom dhe Eagle Mobile.