Edhe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” filloi sot viti i ri akademik 2014-2015. Me këtë rast në të gjashtë fakultetet e universitetit u organizuan ceremoni zyrtare. Dekanët e fakulteteve u shprehën urimet më të mira studentëve, stafit akademik dhe joakademik, për një vit të suksesshëm.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si pjesë përbërëse e arsimit të lartë publik në vendin tonë ofron 3 cikle studimi në sistemet e studimit me kohë të plotë dhe kohë të pjesshme. Këtë vit akademik në programet e studimit bachelor me kohë të plotë studiojnë rreth 7800 studentë. Në programet e studimit master shkencorë me kohë të plotë janë rreth 780 studentë, ndërsa në masterat profesionalë me kohë të plotë janë 570 studentë. Gjithashtu në universitetin tonë ndjekin studimet 1400 studentë në programet e studimit bachelor me kohë të pjesshme dhe 226 në mastera profesionalë me kohë të pjesshme. Në ciklin e tretë të studimeve, doktoraturë në gjuhë shqipe, janë në proces 13 studentë.
Në auditoret e Universitetit tonë jep mësim një staf pedagogësh të kualifikuar me tituj dhe grada shkencore: 14 profesorë doktorë, 30 profesorë të asociuar, 7 docentë, 58 doktorë shkencash dhe 49 pedagogë të tjerë, që janë në proces doktorature. Këtij stafi akademik i bashkohet edhe një numër i konsiderueshëm pedagogësh të jashtëm me kualifikimet përkatëse.
- 2311 lexime