Ditën e hënë dt. 20.01.2018 në ambientet e Fakultetit të Shkencave Shoqërore albanologia e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit (Beijing Foreign Studies University) Ke Jing mbajti një leksion të hapur me temë “Disa zhvillime të albanologjisë në Kinë - arritje dhe perspektiva” me studentët e degës Gjuhë shqipe – Letërsi. Ke Jing është profesore e gjuhës shqipe dhe zv. dekane e Fakultetit të Gjuhëve dhe Kulturave të Evropës në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Ajo ka mbaruar gjatë viteve 1985 – 1989 studimet universitare në degën Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës në Kosovë. Prof. dr. Ke Jing është doktoruar për shkenca humane në Universitetin e Louisville-it (SHBA) me temë “The Four “Others” in I. Kadare’s Works - A Study of the Albanian National Identity ( Katër “Të tjerët” në veprat e I. Kadaresë – një studim për identitetin kombëtar shqiptar). Ajo është hartuese tekstesh mësimore për mësimin e shqipes, fjalorësh dhe autore e mjaft artikujve shkencorë. Pas disa ligjëratave në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në Universitetin e Prishtinës e në disa qendra të tjera albanologjike ajo përzgjodhi Universitetin e Shkodrës për të bërë të njohur punën e albanologëve në Kinë.
Në fjalën e saj prof. dr. Ke Jing bëri një panoramë të arritjeve të albanologjisë në Universitetin e Pekinit dhe në Kinë në përgjithësi. Albanologia kineze i njohu studentët me punën që kanë bërë ndër vite ajo së bashku me gjithë kolegët e saj jo vetëm për ta themeluar degën e shqipes, por edhe për ta mbajtur të gjallë këtë traditë. Falë këtij përkushtimi sot në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (Beijing Foreign Studies University) shqipja mësohet në tre nivele: Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Me një shqipe të kulluar profesoresha Ke Jing argumentoi se interesi i studentëve kinezë për shqipen po njeh një rritje këto vitet e fundit. Ndër të tjera ajo prezantoi thelbin e tezës së saj Katër “Të tjerët” në veprën e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Leksioni zgjoi interesin e profesorëve dhe studentët dhe u përmbyll me pyetje e diskutime.
- 2270 lexime