Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike organizoi një takim informues me studentët e programeve të studimit master të universitetit tonë. Në këtë takim merrte pjesë edhe znj. Milena Harito, Ministre e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.
Kjo veprimtari u zhvillua më 30 janar 2015, ora 12:00, tek salla e konferencave pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Takimi kishte si synim që të rriste njohuritë, interesin dhe besimin në këtë reformë të rëndësishme të segmentit potencial të punës, që do të dalë nga universiteti ynë. Merrnin pjesë studentë të programeve të studimit master.
Duke hapur takimin zv. rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ndër të tjera theksoi: “Kjo nismë e marrë nga Ministria e Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike, për të organizuar këtë takim informues në universitetin tonë, sipas gjykimit tonë është në kahjen e përbashkët me objektivat dhe qëllimet që ne kemi. Studentët duhet të motivohen dhe ta shohin universitetin të lidhur ngushtë me tregun e punës. Programet e studimet që ofrojnë fakultetet tona dhe veçanërisht programet e studimit master janë përditësuar dhe do të vazhdojnë të përditësohen me nevojat dhe specifikat e tregut të punës. Sfidat tona për të ardhmen mbeten nxitja, informimi dhe orientimi më i mirë i studentëve drejt punësimit. Duhet t’i bëjmë ata të ndërgjegjshëm se tek ne marrin dijet, që duhet t’i konkretizojnë në vendet e punës që do të zgjedhin.”
Në fjalën e saj Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito theksoi se jemi të interesuar që ky takim të zhvillohet në formë bashkëbisedimi. Në fillim ajo bëri një paraqitje të reformave të ndërmarra në administratën publike. U evidentua risia e konkurseve, shifrat e konkurseve dhe procesi aktual. Në konkurset e para të zhvilluara në tetor 2014 shifrat ishin: 113 vende vakante. Pati 5.200 aplikime dhe pas konkursit dolën fitues vetëm 38. Në konkurset e zhvilluara në dhjetor, 2014 shifrat ishin: 148 vende vakante. Aplikuan rreth 7.000 vetë dhe dolën 114 fitues. Në takim u vu në dukje se rritja e numrit të fituesve dëshmon për rritjen e seriozitetit dhe angazhimit të aplikantëve në procesin e testimit, ashtu siç edhe tregon se me këto konkurse po përzgjidhen kandidatë me përgatitje të lartë profesionale.
Veçanërisht u vu theksi tek risitë e konkurseve. Ky proces, i pari në formën e tij për historinë e administratës publike sjell disa risi:
- Konkursi zhvillohet në mënyrë të tillë që të gjitha testet të jenë të sekretuara dhe çdo aplikant pajiset me një barecode, i cili është unik për secilin prej tyre.
- Vlerësimi bëhet në mënyrë automatike.
- Testimi me gojë nga komisioni i përzgjedhur mund të regjistrohet me aprovimin e kandidatit.
- Fituesi zgjedh institucionin ku do të punojë, bazuar në renditjen e tij, sipas pikëve të fituara.
Risitë e amendimeve të Ligjit të Nëpunësit Civil
Risia kryesore – Jo vetëm të rinjtë, pra ata që hyjnë duhet të plotësojnë kritere transparente, të njehsuara, të përbashkëta, por të gjithë punonjësit e administratës do të duhet të përditësojnë vazhdimisht njohuritë për të qenë gjithnjë në nivelin e sfidave që na presin. I njëjti proces vlerësimi, transparent dhe i sekretuar, do të aplikohet për të gjithë shërbimin civil.
Më tej znj. Harito u shpreh se e kam ndërmarrë këtë fushatë në universitete për ta shpjeguar në detaj këtë proces. “Njerëzit do të hyjnë në administratë në kushte të barabarta dhe nëse e meritojnë. Administrata jonë duhet të përballojë sfida të mëdha, ku më kryesorja është ajo e integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo administratë duhet të reformohet dhe të zhvillohet, sepse na ofron shërbimet publike. Sfida jonë është që të tërheqim më të mirët në administratën publike”, përfundoi folësja.
Gjatë takimit një nga konkurrentet fituese, solli përvojën e vet në një konkurs të zhvilluar për administratën publike.
Pyetjet e studentëve kishin të bënin me shkurtimet në administratë; me kriteret që rregullojnë marrëdhëniet në punë dhe kush i përcakton ato; me procesin e ankimimit, etj..
- 3073 lexime