Në sallën e konferencave të rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua një takim i zgjeruar i përfaqësuesve të komisionit për reformat në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Në këtë veprimtari u hodh për diskutim raporti i parë që lidhet me këto reforma. Objektiv kryesor i këtij komisioni është të provojë të ashtuquajturën “White Paper”, një raport shkencor për politikën e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor në Shqipëri, për të përballuar zhvillimin afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit.
Takimin e hapi rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, i cili bëri një prezantim të shkurtër të përfaqësuesve të komisionit dhe ftoi kolegët që të përfshihen me sugjerimet e tyre në këtë fazë diskutimi për draftin e propozuar.
Anëtari i komisionit, dr. Aleksandër Xhuvani, u shpreh se kemi ardhur në universitetin tuaj për të diskutuar rreth frymës së dokumentit që ju keni lexuar, si dhe për të marrë opinione dhe sugjerime që vijnë nga ky lexim. “Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem arsimor, i cili të mund të vetërregullohet”. Folësi theksoi se është e rëndësishme të ngrihen standardet për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat. “Ne nuk ruajmë pronësinë e vërtetësisë, ndaj po kërkojmë të marrim mendimet tuaja që do të reflektohen në projektin përfundimtar”.
Anëtari tjetër i këtij komisioni dr. Ardian Civici, u shpreh se universitetet do të menaxhohen si njësi financiare të veçanta. Sipas tij, është bordi ai që do të mbikëqyrë funksionin e universitetit dhe do të garantojë që rregulloret dhe standardet të zbatohen me përpikmëri. “Të gjitha sugjerimet tuaja do të reflektohen. Paralelisht me ne është ngritur dhe një grup juristësh që po e përkthen këtë draft në gjuhë juridike. Dokumentin e paraqitur e kemi quajtur “raporti i parë”, sepse ai do të pasurohet edhe nga mendimet tuaja”. Dr. Civici theksoi se kjo reformë do të zgjasë nga tre në pesë vjet për t’u vënë zbatim. Të gjitha universitetet do të përshtaten me këtë formë të re. Për këtë dokument diskutuan dhe dy anëtaret e tjera të këtij komisioni: Dr. Elida Rapti dhe dr. Anila Paparisto.
Më tej takimi vijoi me pyetje, diskutime dhe sugjerime të pedagogëve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, për raportin e paraqitur.
Ndër të tjera u ngritën shqetësime që lidhen me studimet me kohë të pjesshme, me financimin e studimeve, me zgjedhjet e autoriteteve drejtuese dhe vendimmarrëse, me mënyrat e reja të financimit, autonominë e universiteteve, etj. U vlerësua kjo reformë sidomos për futjen e indikatorëve që masin cilësinë dhe standardet e të gjitha universiteteve. Disa diskutantë theksuan që universitetet e rretheve të mos trajtohen si universitete rajonale.
- 2289 lexime