Shtëpia

Dt. 23-24. 10. 2015. “Kërkimi dhe edukimi - sfidat drejt së ardhmes” ICRAE 2015, konferencë shkencore ndërkombëtare e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji Kosovë

Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Fakulteti i Shkencave Shoqërore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Universiteti për Biznes e Teknologji Kosovë, organizuan më 23-24 tetor 2015 konferencën e tretë shkencore ndërkombëtare: “Kërkimi dhe edukimi – sfidat drejt së ardhmes” ICRAE 2015. (Research and education – challenges towards the future).
Kjo konferencë është një ngjarje e rëndësishme për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, sepse në të paraqitet një punë e mirëfilltë shkencore e studiuesve dhe e kërkuesve të stafeve akademike të disa universiteteve të njohura shqiptare, ballkanike, evropiane, amerikane dhe më gjerë. Në këtë konferencë marrin pjesë studiues nga shumë shtete të botës.
Temat kryesore të artikujve përfshijnë fusha studimore të ndryshme, si: albanalogji, art, ekonomi, kulturë, arsim i lartë, TIK (teknologji e informimit dhe e komunikimit), media e komunikim, filologji, sporte, shkenca shoqërore, kërkim shkencor.

Seanca plenare e hapjes së konferencës u zhvillua në Sallën e Konferencave pranë Rektoratit të USH-së, në orën 9:00.
Konferencën e moderoi, Mr. Erard Çurçija, kryetar i Degës së Zhvillimit dhe të Marrëdhënieve me Jashtë pranë USH-së.

Dekania e Fakultetit të Shkencave të Shoqërore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.as.dr. Mimoza Priku u uroi mirëseardhjen të pranishëmve, si dhe vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë dhe cilësinë e kumtesave të paraqitura.

Në fjalën e tij, prof. as. dr. Fatmir Vadahi, zv.rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u shpreh: “Universiteti ynë është një ndër universitetet më me tradita në Republikën e Shqipërisë, si dhe është një ndër të parët institucione të arsimit të lartë, që ka nisur rrugëtimin drejt modeleve të përparuara evropiane. Ne shprehim konsideratat tona për organizatorët e veprimtarisë që janë: Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Fakulteti i Shkencave Shoqërore në Universitetin e Shkodrës dhe Universiteti për Biznes e Teknologji Kosovë. Do të vlerësoja me këtë rast punën e mirë shkencore të pjesëmarrësve profesorë, studiues e kërkues të stafeve akademike nga shumë universitete shqiptare, ballkanike, evropiane, amerikane dhe më gjerë. Kumtesat që do të mbahen shpresoj se do të jenë burim i mirë informacioni për të gjitha sferat që ato prekin. Këto kumtesa dhe prezantime do t’u shërbejnë studentëve tanë, por edhe kolegëve të mi, aq më shumë në kontekstin e proceseve të integrimit që po kalon universiteti. Do të shpreh konsideratë edhe për kontributin e pedagogëve tanë, të cilët me punën e tyre kërkimore shkencore janë pjesëmarrës aktivë në këtë konferencë ndërkombëtare. Në dekadat e historisë së tij, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka kaluar ngjarje dhe faza të rëndësishme. Vitet e fundit institucioni ynë ka qenë mjaft promovues për organizime dhe pjesëmarrje në konferenca të tilla, si dhe ka përjetuar së bashku me universitetet e tjera të vendit ndryshime me të vërtetë të mëdha”.

Përshëndetën konferencën: Znj. Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë së Shkodrës; prof. dr. Darko Petkovic, nga University of Zenica (Bosnjë Hercegovinë), prof. dr. Robert McCloud, pedagog i shkencave kompjuterike në Sacret Heart University, Fairfield, (SHBA); prof. dr. Edmond Hajrizi, Rektor i Universitetit për Biznes dhe Teknologji në Kosovë; prof. dr. Adriana Galvani nga Departamenti i Ekonomisë në Libera University Mediterranea (Itali).
Dr. Margaret Frase nga Departamenti i Edukimit në Metropolitan State University of Denver (USA) prezantoi rinovimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Metropolitan State University of Denver (USA).

Konferenca i vazhdoi punimet në disa seanca paralele.
Dita e shtunë i dedikohet konkluzioneve të konferencës ICRAE 2015, por në të njëjtën ditë do të zhvillohen vizita në ambientet muzeale me vlera historike të qytetit tonë.

Duke klikuar linkun si dhe informacionet e mëposhtme, mund të njiheni më hollësisht me punimet e konferencës ICRAE 2015.

http://konferenca.unishk.edu.al/icrae2015/

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).