Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Biblioteka Universitare dhe Instituti i Studimeve Albanologjike organizuan në kuadër të veprimtarive për Ditën Botërore të Librit, aktivitetin e titulluar: “Një jetë me librin dhe për librin”, dedikuar studiuesit Willy Kamsit.
Willy Kamsi punoi gjithë jetën në Bibliotekën e Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër. Ai është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike. Ka botuar një seri artikujsh, si dhe ka përkthyer disa vepra. Në vitin 1993 u emërua ambasador i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë ku e përfaqësoi me shumë dinjitet vendin tonë.
Në këtë veprimtari fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha e Bibliotekës Universitare, znj. Alida Luka. Folësja vlerësoi kontributin e Kamsit si punonjës i bibliotekës sidomos në pasurimin e fondit albanologjik, duke mbetur kështu një pikë e rëndësishme referimi për studiuesit. “Përmes këtij aktiviteti synojmë jo vetëm të shpalosim vlerat e kësaj figure, por edhe t’i shprehim mirënjohjen tonë”.
Kujtime e përjetime nga puna me W. Kamsin, solli për të pranishmit edhe punonjësja e kësaj biblioteke, znj. Mimoza Hoxha. Ndër të tjera ajo theksoi se çdo libër i bibliotekës sonë së bashku me vulën e saj, mban edhe atë të Willy Kamsit.
Më pas u referuan kumtesat: “Vepra “Saggi di Letteratura Albanese” e Ernest Koliqit, përmes përkthimit të W. Kamsit” nga prof. dr. Fatbardha Hoxha. Duke përfunduar kumtuesja e vlerësoi dhe e renditi W. Kamsin ndër bibliografët më në zë të Shkodrës, krahas: J. Kastratit, M. Qukut, T. Osmanit, Nj. Kazazit, P. Kotrrit, M. Geros dhe Gj. Çunit.
Prof. dr. Tefë Topalli dhe dr. Zamira Shkreli paraqitën kumtesën “Zëri i W. Kamsit në një libër Albanologjie”.
Drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti”, z. Gjovalin Çuni lexoi kumtesën: “Një vështrim mbi studimet filologjike të W. Kamsit”. Në këtë ligjëratë Çuni theksoi: “Kamsi nuk është thjesht një shfrytëzues literature, por në të njëjtën kohë është edhe krijues i bibliografive tematike, që me të vërtetë përbëjnë një bazë të rëndësishme për çdo albanolog.
Olimpia Kakarriqi referoi: “Kontributi i W. Kamsit në fushën bibliografike” .
Disa konsiderata për Willy Kamsin solli për pjesëmarrësit edhe prof. dr. Tomor Osmani.
Takimi u mbyll me një montazh fotografik mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij studiuesi.
- 2142 lexime