Fakulteti Ekonomik organizoi workshopin "Sfidat e zhvillimit rajonal 4", ku u prezantuan temat më të mira të studenteve të masterit.
Workshopi u zhvillua ditën e hënë, më 21 dhjetor 2015, ora 9:30 - 14:00, në sallën e konferencave A3 pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi".
Veprimtarinë e hapi pedagogia Nevila Kiri, e cila bëri prezantimin e synimeve të workshopit dhe jurinë e tij. Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani, ndër të tjera u shpreh se ky workshop që tashmë është bërë tradicional, po evidenton gjithnjë e më shumë bashkëpunimin e Fakultetit Ekonomik me aktorë të rëndësishëm institucionalë dhe të botës së biznesit.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut, znj. Greta Bardeli, falënderoi Fakultetin Ekonomik për ftesën, si dhe bëri një paraqitje të shkurtër të planeve rajonale të zhvillimit për Shkodrën.
Prof. as. dr. Albana Boriçi, përgjegjëse e departamentit të Administrim-Biznesit, vlerësoi këtë veprimtari që bëhet çdo vit, si dhe solli një falënderim të veçantë për prof. as. dr. Mirjeta Beqiri, ish-pedagoge e Fakultetit Ekonomik, e cila aktualisht jep mësim në Gonzaga University në Uashington. Znj. Mirjeta Beqiri kishte ofruar një kontribut financiar për tre studentët e çmimeve të para.
Prof. as. dr. Blerta Dragusha, përgjegjëse e departamentit Financë-Kontabilitet, bëri një vlerësim për temat e paraqitura dhe i uroi suksese studentëve.
Prof. as. dr. Brilanda Bushati, përgjegjëse e departamentit të Turizmit,pasi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë veprimtari, u kujtoi studentëve se sot ata po marrin statusin e “kolegut”, me këtë paraqitje dinjitoze të punimeve të tyre.
Kryetari i Degës së Kulturës dhe të Botimeve, dr. Gëzim Puka, i uroi rrugëtim të mbarë numrit të parë të Buletinit të Shkencave Ekonomike, si tribunë e mendimit shkencor të Fakultetit Ekonomik.
Është hera e katërt që Fakulteti Ekonomik organizon workshopin "Sfidat e zhvillimit rajonal ". Qëllimi parësor i kësaj veprimtarie ishte promovimi i programeve të studimit, e veçanërisht i masterave profesionale dhe shkencorë. Paralelisht me këtë, workshopi synon të zgjerojë më tej bashkëpunimin mes fakultetit, bizneseve që veprojnë në rajonin e Shkodrës dhe pushtetit lokal.
Në këtë pikëvështrim ishte ndërtuar edhe juria e këtij workshopi në përbërje të së cilës ishin:
Z. Arben Haveri, Drejtor i Societe Generale Shkodër.
Z. Gjergj Liqejza, President i Kompanisë “Shqipëria Trikot”
Z. Shpëtim Quku, Drejtor Kabineti në Bashkinë e Shkodrës
Znj. Nevila Burrja, Drejtore e një dege të BKT-së, Shkodër
Z. Renato Lumçi, Menaxher tek Hotel Colosseo.
Çmimin e parë e mori tema e studentes Kristjana Prronaj: “Rimbursimi i TVSH-së dhe efektet e tij në likuiditetet e bizneseve”.
Çmimin e dytë e mori tema e studentes Brigena Burgaj: “Stimujt fiskalë dhe tërheqja e investitorëve. Vështrim krahasues për vendet e rajonit”.
Çmimin e tretë e mori tema e studentes Lediona Gusija: “Reduktim, ripërdorim, riciklim.(Sjellja ricikluese në qytetin e Shkodrës)”.
- 2874 lexime