Veprimtaria promovuese “Dy libra të një shkence” e mbajtur në sallën e konferencave të Bibliotekës Shkencore Universitare, kishte bashkuar në vetvete dy monografi, të cilat vijnë si rezultat i një pune të mirëfilltë kërkimore-shkencore nga ana e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë, dr. Entela Hoxhaj dhe dr. Florian Bjanku.
Ky aktivitet zgjoi interesin jo vetëm të pedagogëve e studentëve, por edhe të përfaqësuesve të pushtetit lokal, drejtuesve të institucioneve juridike dhe specialistëve të fushës së drejtësisë. Merrnin pjesë edhe Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, Kryetari i Gjykatës së Lartë, prof. dr. Xhezair Zaganjori, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z.Maxhid Cungu, etj.
Promovimin e hapi prof. dr. Alfred Çapaliku, i cili u shpreh se librat e Entela Hoxhaj dhe të Florian Bjankut, janë tregues të tempit të punës shkencore në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Më pas diskutoi mbi vlerën shkencore të këtyre monografive, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, profesor Gaspër Kokaj. Ndër të tjera ai u shpreh se këto punime janë një vlerë e shtuar jo vetëm për autorët, por edhe për Fakultetin e Drejtësisë.
Prof. dr. Paskal Haxhi, udhëheqësi shkencor dhe recensenti i monografisë së Florian Bjankut, duke marrë fjalën theksoi se e ndjente veten mjaft të kënaqur që ndodhej në promovimin e librit të studentit të tij. “Është një nga doktoraturat që përbën një rast të veçantë. Këshillat e mia, Florian Bjanku, i ka zbatuar në mënyrë krijuese. E falënderoj nga zemra, sepse në moshën që jam, më bëri të përjetoj një ngjarje të tillë të rëndësishme. Pronësia mbi tokën është një temë kryesore që ka preokupuar drejtësinë dhe shtetin shqiptar. Mendoj se ky tekst mund të shërbejë fare mirë edhe për mësimdhënie”, përfundoi prof. dr. Paskal Haxhi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, prof. dr. Xhezair Zaganjori në rolin e udhëheqësit dhe mbështetesit kryesor për botimin e monografisë së Entela Hoxhajt, ndau me të pranishmit emocionin e pjesëmarrjes në këtë promovim. “Libri i kësaj autoreje është një punim mjaft i arrirë dhe i dobishëm. Çështjet e së drejtës kushtetuese të trajtuara në kapitujt e kësaj monografie ndërthuren dhe e reflektojnë mjaft mirë realitetin shqiptar”. Në të njëjtën kohë folësi vlerësoi edhe monografinë e Bjankut, si një punim mjaft origjinal për çështjet e pronësisë.
Duke falënderuar në veçanti udhëheqësin e saj shkencor, dekanin e Fakultetit të Drejtësisë dhe prindërit, autorja Entela Hoxhaj u shpreh: “Mendoj se kam bërë një studim që mund t’i shërbejë kujtdo që dëshiron të ketë një ide mbi proceset e ndryshimeve kushtetuese në praktikën e shteteve të Evropës. A ndryshohen edhe kushtetutat e ngurta evropiane njësoj si kushtetuta jonë e vogël, e re, sidomos për sa kohë që diskutohet sërish "politikisht" ndryshimi i saj? Këto pyetje gjejnë përgjigje gjatë leximit. Besoj se ky libër do të më nxisë, që të bëj hapa të mëtejshme në fushën e botimeve”. Monografia “E drejtë kushtetuese e krahasuar” (Rishikimi i kushtetutave në Evropë), e autores Entela Hoxhaj pasqyron teorinë, praktikën dhe jurisprudencën kushtetuese të shteteve të Evropës kontinentale, të lidhura me problematikat e ndryshimeve kushtetuese respektive dhe është një përpjekje serioze për t’u shërbyer studiuesve dhe studentëve të së drejtës kushtetuese të krahasuar.
Në ligjëratën e tij Florian Bjanku theksoi: “Në realizimin e kësaj monografie, e cila nisi si një disertacion doktorature, jam kujdesur për frazën që të jetë sa më e thjeshtë dhe komunikative. Në këtë mënyrë ky botim do të bëhej i hapur për lexuesin e gjerë. Kjo ndofta edhe për faktin se tematika që trajtoj ka një ndjeshmëri dhe aktualitet të lartë. Për këtë arsye që në titullin e kësaj monografie kam vendosur të përdor fjalët “Çështja e pronave në Shqipëri¨, pikërisht për të identifikuar që në krye të herës objektin e trajtesës, që përfshin shumë procese, të cilat lidhen me pronësinë dhe të drejtën e pronës; reformën e tokës bujqësore; proceset e rikthimit të pronave për ish-pronarët; zhvillimet ilegale dhe vendbanimet informale; metodikat e vlerësimit dhe çmimi i tokës; regjistrimin e pronës dhe transaksionet; fragmentimin hapësinor dhe planifikimin e tokës në kontekstin e tranzicionit; proceset inventarizuese dhe transferuese të pronave shtetërore”.
Libri i Florian Bjankut “Çështja e pronave në Shqipëri” (Sfida me shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut), analizon proceset kryesore ligjore, institucionale, politike në Shqipëri e në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ku reforma e tokës ishte pjesë e rëndësishme e reformave të përgjithshme pas rënies së regjimit monist. Nga autori synohet të hidhet dritë në tri drejtime të lidhura ngushtësisht mes tyre dhe përkatësisht: mbrojtja e së drejtës së pronës, shteti ligjor dhe konsolidimi i marrëdhënieve të tregut të tokës. Autori evidenton me mjaft sukses çështjet që kanë mbetur ende të hapura dhe që duhen zgjidhur, duke u ndalur njëkohësisht në aspekte të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Studimi mbyllet me rekomandime për aksione me rëndësi primare në hapat e mëtejshme të reformës.
- 4925 lexime