Zyra Erasmus+ në bashkëpunim me ekspertët HERE, zhvilluan në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” seminarin me temë: “Forcimi i rolit të Qendrave për Sigurimin e Brendshëm të Cilësisë në IAL”.
Ky seminar kishte mbledhur së bashku anëtarë të stafeve akademike nga Institucionet e Arsimit të Lartë të Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Durrësit. Në këtë seminar merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, anëtarë të Komisionit Kombëtar për Reformën e Arsimit të Lartë, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Seminari trajtonte çështje që lidhen me sfidat e sigurimit të brendshëm të cilësisë në universitetet shqiptare dhe forcimin e rolit të Qendrave për krijimin e një kulture të re të cilësisë në stafet tona akademike. Gjithashtu, përfaqësues të APPAL-it bënë prezantimin e standardeve për sigurimin e cilësisë. Seminari u moderua nga Dhurata Kuqi përfaqësuese e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe u raportua nga Fatmira Shehu përfaqësuese e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Programi i takimit ishte:
Fjalë përshëndetëse nga prof. as. dr. Fatmir Vadahi, Zv.Rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe znj. Edit Dibra, koordinatore Kombëtare e Programit Erasmus+ në Shqipëri
Prezantimi me temë “Këndvështrimi i stafit akademik për forcimin e kulturës së cilësisë në IAL-të shqiptare”, nga Znj. Anila Paparisto, HERE dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
Prezantimi nga përfaqësues të projektit TEMPUS “EUREQA”, prof. dr. Arjeta Troshani, Dekane e Fakultetit Ekonomik ne Universitetin e Shkodrës dhe nga Fatmir Memaj, Zv. Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës
Seminari vijoi me pyetje dhe diskutime.
- 2538 lexime