Në Sallën e Konferencave A3 pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua më 12 qershor 2015, ora 11:00, prezantimi i korit të universitetit tonë dhe diskutime mbi temën: “Muzika korale dhe roli i saj për edukimin e studentëve”.
Në këtë veprimtari referuan pedagogët: Roland Guli, Mimoza Rakaj dhe Qamil Gjyrezi.
Pedagogu Roland Guli ndër të tjera theksoi se “Ta ndajmë muzikën së bashku” është sot një ndër metodat më të përdorura në edukimin muzikor.
Në referencën e saj Mimoza Rakaj u ndal tek rëndësia që ka të kënduarit dhe kultivimi i muzikës korale në përfshirjen e një grupi të madh studentësh.
Pedagogu Qamil Gjyrezi diskutoi për rëndësinë e muzikës për edukimin dhe formimin e studentëve.
Programi muzikor i paraqitur përfshinte këngë të përpunuara nga repertori më i zgjedhur i muzikës shkodrane, si dhe nga repertori vokal klasik (Çajkovski, Shubert).
Ra në sy një performancë mjaft e mirë e korit, që përbëhej nga studentë të fakulteteve të ndryshme.
Veprimtaria u organizua në kuadër të koncertit të korit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, që do zhvillohet më 15 qershor 2015, ora 19:30, në hollin e teatrit “Migjeni”.
- 2615 lexime