Konsullata Italiane e Nderit në Shkodër, Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Studio Ligjore “Moçka” dhe Radio-Televizioni “Rozafa”, organizuan ditën e premte, më datë 06.02.2015, ora 10.00, në sallën e konferencave pranë Rektoratit të Universitetit, veprimtarinë promovuese: “Kodi Civil Italian – vjen në Shkodër në gjuhën shqipe”, përkthyer dhe përshtatur për herë të parë ekskluzivisht nga Av. Lisenko Moçka.
Moderatorë të veprimtarisë ishin: prof. Vito Stigliani, Konsulli Italian i Nderit në Shkodër, dr. Orjona Fjerza, pedagoge pranë Universitetit “Luarasi”, Tiranë.
Duke falënderuar z. Moçka për këtë përkthim, konsulli Stigliani ndër të tjera u shpreh se përkthimi i “Kodit Civil Italian” është një përpjekje për ta vënë atë në duart e juristëve shqiptarë, dhe veçanërisht, gjyqtarëve, avokatëve, noterëve, prokurorëve, trupave pedagogjike universitare, ekonomistëve, si dhe çdo studiuesi tjetër të së drejtës, si një ndihmesë dhe kontribut në punën e tyre të përditshme dhe studimore.
Zv.Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, z. Fatmir Vadahi në fjalën e tij bëri një vlerësim për këtë veprimtari promovuese, përkthyesin dhe organizatorët.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, z. Gaspër Kokaj theksoi se është shumë e rëndësishme që “Kodit Civil Italian” vjen i përkthyer në gjuhën shqipe, pasi ky kod ka një impakt të gjerë në legjislacionin shqiptar. “Një prurje e tillë në shqip meriton sa më shumë promovime”, u shpreh ndër të tjera z. Kokaj.
Kryetari i Gjykatës së Apelit të Rrethit Shkodër, z. Fuat Vjerdha, pasi vuri në dukje kënaqësinë që merr pjesë në këtë event, iu bashkua vlerësimeve të parafolësve për këtë përkthim .
Në përfundim të takimit Av. Lisenko Moçka, përkthyesi i “Kodit Civil Italian” shprehu mirënjohjen për organizatorët, referuesit dhe pjesëmarrësit. Ndër të tjera u evidentua se përveç karakterit utilitar, këtë punim e karakterizon vazhdimësia, si përkthim i një vepre bazë referuese, e cila krijon mundësi përmirësimi, që sot diktohet, jo vetëm si nevojë e dorës së parë në punën e çdo juristi ose specialisti në fushën e së drejtës, por edhe të ndryshimit të marrëdhënieve në fusha të tjera të jetës.
Përkthimi do të ndihmojë në njohjen më të mirë të Kodit Civil Evropian dhe kodeve të tjera civile të vendeve të zhvilluara, sidomos të vendeve fqinje, si bazë e pikënisje përafrimi dhe inkuadrimi të legjislacionit tonë me atë evropian. Ky përafrim bëhet më tepër imperativ, nisur nga konsiderata se “Italia e` la Patria del Diritto” dhe merr prioritetet më të rëndësishme që ka vendi ynë me Komunitetin Evropian, jo vetëm në fushën e shkëmbimeve tregtare, të sipërmarrjes dhe të investimeve, që tejkalojnë shifrën prej 40 % përqind, por edhe si vendi i parë në Evropë nëpërmjet të cilit kemi huazuar më shumë jo vetëm të drejtën, por edhe trashëgiminë e përparimin evropian e botëror, në fushat e dijes, të shkencës, të kulturës, të këngës, si vendi i parë ku shqiptarët gjetën vendin e lirisë dhe demokracisë në kuptimin e plotë të fjalës.
Av. Lisenko Moçka është autor i artikujve të ndryshëm, që trajtojnë koncepte dhe formulime të së drejtës, të botuara në organe, si “Drejtësia“, “Tribuna Juridike“, etj., si dhe në gazeta të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe italiane, ku do të veçonim: “Kontrata e sigurimit“, “Ligji për falimentimin“, “Veprimet juridike të debitorit në dëm të kreditorit”, “Kontrata e sigurimit”, “Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok (shoqëritë kooperative)”, “Ligji italian per falimentimin dhe procedurat konkuruese të falimentimit”, “Përjashtimi i ortakut nga shoqëria“, “Heqja dorë e ortakut nga shoqëria”, “Mbi kuptimin dhe zbatimin e parimit të mirëbesimit “, “Mbi kuptimin e shoqërisë në përgjithësi dhe të shoqërisë tregtare në veçanti“, “Asambleja dhe organi administrativ në shoqëritë tregtare”, “Mbi pavlefshmërinë e veprimit juridik”, “Klauzolat me ves dhe kontratat mbi modularë“, etj..
- 4110 lexime