Me rastin e 15-vjetorit të krijimit të Bibliotekës Austriake në Shkodër, të vetmes në Shqipëri, u organizuan ne ambientet e Bibliotekës Universitare të Shkodrës veprimtari të ndryshme kulturore. Më datë 1 qershor u organizua veprimtaria “Dita e dyerve te hapura”, ku studentë pedagogë dhe intelektualë të Shkodrës vizituan ambientet e kësaj biblioteke.
Më datë 3 qershor, ora 13:00 u shfaq filmi dokumentar “Österreich”, pjesë e fondit të Bibliotekws Austriake, një guidë nëpër vendet më të bukura të Austrisë. Filmi u shfaq në gjuhën gjermane dhe zgjati 52 minuta. Një shëtitje hekurudhore rreth Austrisë e ndërthurur me historinë e këtij vendi duke filluar me Vjenën e duke vazhduar më tej me Linzin, Salzburgun, Gracin etj. Filmi u ndoq kryesisht nga vitet e dyta të shkollës austriake, si dhe nga të tjerë të pranishëm.
Më datë 4 qershor, ora 11:00, në bashkëpunim me Departamentin e Gjermanistikës të Universitetit të Shkodrës u shfaq një tjetër film dokumentar “Plastic Planet”. Ky film dokumentar është përkthyer me titra në shqip nga studentët e vitit të tretë të Departamentit të Gjermanistikës nën udhëheqjen e pedagoges Sara Gurraj.
Më datë 5 qershor, në orën 11:00 në sallën “Walter Höflechner” të Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës u zhvillua edhe dita përmbyllëse e aktiviteteve të zhvilluara me rastin e 15-vjetorit të Bibliotekës Austriake në Shkodër. Të pranishëm ishin ndër të tjerë, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, z. Thomas Schnöll; Zv.Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. as. dr. Fatmir Vadahi; drejtoresha e Bibliotekës Shkencore Universitare, znj. Alida Luka; ish-rektorët e Universitetit të Shkodrës prof. dr. Gjovalin Kolombi e prof. dr. Mahir Hoti; Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, z. Gjergj Leqejza, si dhe të tjerë inteleketualë e të ftuar, miq dhe bashkëpunëtorë te Bibliotekës Austriake në Shkodër.
Takimin e moderoi drejtuesja e Bibliotekës Austriake në Shkodër znj. Oriona Zylja. Fjalën e hapjes e mbajti Zv. Rektori Fatmir Vadahi, i cili vlerësoi veprimtarinë e vyer të Bibliotekës Austriake brenda Universitetit të Shkodrës. Gjithashtu folësi bëri një vështrim të shkurtër historik të marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Universitetit të Shkodrës dhe Universitetit të Gracit. “Biblioteka Austriake që në lindjen e saj shërbeu dhe vazhdon të shërbejë si mbështetje e fuqishme shkencore burimore me literaturë klasike dhe bashkëkohore për studentët tanë”. Më pas përshëndeti prof. Gjovalin Kolombi, një ndër nismëtarët e marrëveshjeve mes Universitetit të Shkodrës me atë të Gracit të Austrisë. Ai tregoi hapat dhe themelet e para të këtyre marrëveshjeve, të cilat hodhën themelet për marrëveshje edhe me universitete dhe institucione të tjera arsimore e kulturore të Austrisë. Z. Kolombi solli edhe pamje filmike nga themelimi i Departamentit të Gjermanistikës në Shkodër në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Gjermanistikës në Grac.
Oriona Zylja e vazhdoi rrëfimin për historikun e krijimit të Bibliotekës Austriake duke ia dhënë fjalën prof. dr. Mahir Hotit, i cili në vitin 2000, kur u themelua kjo bibliotekë në Shkodër ishte Rektor i Universitetit të Shkodrës dhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Austri. Profesor Hoti bëri një përshkrim të asaj periudhe duke përfshirë këtu edhe kohën e ndërtimit të godinës së re bashkëkohore të Bibliotekës Universitare, e cila u ideua dhe u mobilua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë. Të gjitha këto fakte u shoqëruan edhe me foto e pjesë filmike.
Oriona Zylja foli edhe për bibliotekat austriake në Evropën Lindore dhe Juglindore, si dhe për punën e Bibliotekës Austriake në këto 15 vjet, për fondet e saj, për aktivitetet e shumta kulturore dhe shkencore që organizon ajo.
Nuk mungoi edhe fjala përshëndetëse e Drejtoreshës së Shkollës Austriake “Peter Mahringer” në Shkodër, znj. Gerlinde Tagini si një bashkëpunuese e vazhdueshme dhe mbështetëse e fortë e aktivitetit të Bibliotekës Austriake.
Këtë aktivitet e përshendetën nga Ministria e Integrimit dhe Marrëdhënieve Evropiane dhe Ndërkombëtare, znj. Sandra Diepenseifen, si dhe prof. Walter Höflechner, një ndër nismëtarët e parë të marrëdhënieve ndërmjet Universitetit të Shkodrës me universitetet e Austrisë.
Veprimtaria përfundoi me një vizitë në ambientet e Bibliotekës Austriake.
- 2525 lexime