Sot më datë 30.05.2016, ora 12:00, në Sallën e Senatit pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" u zhvillua një ceremoni zyrtare për prezantimin e rektorit të ri të këtij Universiteti, prof. dr. Adem Bekteshi, i cili u dekretua më datë 26.05.2016 nga Presidenti i Republikës pas zgjedhjeve të organizuara në Universitetin tonë më 20 prill 2016.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë autoritetet e tjera drejtuese të USH-së, të dala nga këto zgjedhje.
Duke marrë fjalën prof. dr. Adem Bekteshi theksoi se sot ne të gjithë titullarët e zgjedhur në drejtimin e Universitetit të Shkodrës, po marrim përsipër përgjegjësi të madhe për çuarjen përpara të këtij institucioni të arsimit të lartë, që ka një traditë rreth 60-vjeçare.
“Cilësia në të gjitha aspektet e jetës akademike do të jetë motoja jonë e përbashkët. Ne duhet të jemi në koherencë të plotë në rrugën e zhvillimit, të përparimit dhe të standardeve moderne që kërkon koha. Angazhimi ynë do të jetë i gjithanshëm, në mënyrë që ta bëjmë Universitetin e Shkodrës jo vetëm një vatër të rëndësishmë të dijes, por edhe burim energjie për shoqërinë.
Ne do të orientohemi drejt modeleve më të përparuara evropiane, me synim arritjen e parametrave bashkëkohorë të arsimit të lartë, përmes zgjerimit të bashkëpunimit me universitete dhe institucione të huaja homologe, përmes organizimit të konferencave shkencore dhe pjesëmarrjes në to, specializimeve të stafit akademik, hartimit dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta, si dhe lëvizjes së lirë të studentëve”.
Ceremonia vijoi me emërimin e drejtuesve të njësive kryesore të zgjedhur në fakultete, të cilët janë:
Prof. dr. Artan Haxhi, Instituti i Studimeve Albanologjike
Prof. dr. Suzana Golemi, Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Prof. as. dr. Mimoza Priku, Fakulteti i Shkencave Shoqërore
Prof. as. dr. Fatmir Vadohej, Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Prof. as. dr. Blerta Dragusha, Fakulteti Ekonomik
Dr. Roland Dodani, Fakulteti i Drejtësisë
Prof. as. dr. Alma Hafizi, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
- 6041 lexime