Ditën e shtunë, më datë 12 dhjetor 2015, ora 11.00, në sallën “Walter Höflechner” të Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u organizua veprimtaria për paraqitjen e librit: “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”, botim i Shtëpisë Botuese “Fiorentina”, Shkodër.
Aktivitetin e hapi prof. dr. Mahir Hoti. Në fillim u bë një prezantim me pamje të pjesshme nga zhvillimi i simpoziumit “Hoti në rrjedhat e shekujve”, mbajtur në Rochester Hills, Michigan, USA, 23-24 Nëntor 2013.
Më tej programi vijoi me referimet lidhur me përmbajtjen e librit.
Morën fjalën:
Prof. dr. Kolec Topalli
Prof. dr. Mahir Hoti
Prof. dr.Romeo Gurakuqi
Ma. Nikollë Camaj
Folësit shprehën konsiderata për kumtesat e këtij simpoziumi që janë përfshirë në botimin “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”. Nga parathënia e këtij libri shkruar nga prof. dr. Romeo Gurakuqi do të citonim: “Pas gati 20 muajsh punë sistematike, grupi organizator dhe redaksia shkencore, paraqet për lexuesin këtë përmbledhje me të gjitha punimet e konferencës, në një libër të vetëm, që i shtohet radhës së botimeve studimore kushtuar krahinës së Hotit dhe Malësisë në tërësi.
Konferenca është një nga veprimtaritë shkencore të radhës kushtuar Hotit, por ne nuk duhet të harrojmë, se një radhë e tërë studiuesish shqiptarë dhe të huaj, kanë qenë angazhuar kohë më parë për të kryer studime mbi Hotin dhe Malësinë. Të gjithë ne duhet t’u jemi mirënjohës një sërë studiuesve, të cilët në periudha të ndryshme kohore, pavarësisht nga njëri-tjetri, bënë të mundur mbledhjen e fakteve dhe dokumenteve mbi Hotin dhe Malësinë”.
Veprimtari vijoi me diskutime të pjesëmarrësve, të cilët ndoqën më interes të veçantë këtë aktivitet.
- 3308 lexime