Më datë 10 dhjetor 2015, ora 10.00, Fakulteti i Shkencave të Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore organizuan në auditorin A2 një aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
I ftuar në këtë takim ishte z. Fred Abrahams, i cili është studiues, publicist, ekspert i të drejtave të njeriut dhe konsulent pranë Human Right Watch në Berlin.
Veprimtarinë e hapi zv.dekania e Fakultetit të Edukimit, dr. Brilanda Lumanaj, e cila bëri prezantimin e autorit Fred Abrahams, i cili ka punuar për njëzet vjet në zona të gjymtuara nga kriza politike dhe konflikte të armatosura, duke përfshirë Ballkanin dhe Lindjen e Mesme.
Abrahams erdhi në këtë aktivitet promovues për të prezantuar dhe bashkëbiseduar me studentët dhe pedagogët rreth librit të tij të titulluar “Shqipëria e Re: Nga diktatura në demokraci në Europë". Ky libër është botuar së pari në anglisht nga shtëpia botuese e Universitetit të Nju Jorkut në SHBA (New York University Press, 2015).
Duke folur për librin dhe konkluzionet e tij autori u shpreh se tek “Shqipëria e Re...” paraqitet një histori e gjallë e rënies së regjimit komunist dhe e sprovave, mundimeve që e kanë bërë vendin të shndërrohej në shtetin që është sot. Në këtë libër gërshetohen përvoja personale prej më shumë se 20 vjetësh në Shqipëri; intervista me shqiptarë dhe të huaj me pozita vendimtare që luajtën rol në politikën e vendit, duke përfshirë ish-anëtarët e Byrosë Politike, udhëheqës të opozitës, agjentë të zbulimeve, diplomatë dhe themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është një hulumtim nga afër i qindra dokumenteve qeveritare që më parë ishin sekret. Duke dokumentuar rrugën që ka bërë kombi nga diktatura e izolimi në një demokraci pluraliste, Abrahamsi shqyrton me mjeshtëri rrugëtimin e shkuar dhe të ardhshëm të Shqipërisë.
Studentët dhe pedagogët pjesëmarrës e ndoqën me interes këtë takim, si dhe bënë pyetje e diskutime.
- 4058 lexime