Fakulteti i Shkencave të Natyrës i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Shoqatën Mjedisore Ballkanike (Balkan Environmental Assocatiation, B.EN.A) organizuan më 6-8 nëntor 2015 konferencën e tretë shkencore ndërkombëtare: “Kërkimi dhe edukimi në shkencat natyrore” të fokusuar tek tema: “Harmonizimi i studimit mjedisor dhe mësimdhënia me politika të qëndrueshme”.
Seanca plenare u zhvillua ditën e premte, më 6 nëntor 2015, ora 9:00, tek salla e konferencave (A3) pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Këtë seancë e hapi dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. dr. Adem Bekteshi i cili u shpreh: “Është një kënaqësi e madhe dhe nder për Universitetin e Shkodrës, veçanërisht për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, për të pritur dhe për të kontribuar në zhvillimin e konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare: “Harmonizimi i studimit mjedisor dhe mësimdhënia me politika të qëndrueshme”, ku janë të mirëpritur ngrohtësisht të gjithë shkencëtarët, studentët e doktoratës, si dhe studentë nga Shqipëria e vende të tjera, që do të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme. Ne shpresojmë që konferenca do të krijojë një traditë për universitetin tonë. Arritjet në shkencat natyrore, në kërkimin dhe didaktikën e tyre, janë një përvojë e rëndësishme jo vetëm për Universitetin e Shkodrës, por për universitete të tjera në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë. Përvoja e fituar nga profesionistët në këto fusha, ndjekja e kësaj përvoje nga akademikët e rinj profesionistë, është një shembull i mirë për studentët tanë, në mënyrë që të zhvillojnë praktikat më të mira në studimet e tyre.”
Përshendeti konferencën Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.dr. Artan Haxhi. Rektori Haxhi theksoi ndër të tjera: “Përmes kësaj konference përveç paraqitjes së arritjeve më të fundit shkencore, që vijnë si rezultat i kërkimit të drejtpërdrejtë, do të vihet në dukje që bashkëpunimi ndërmjet kërkuesve shkencorë të fushave të ndryshme të studimit dhe promovimi i punës së tyre ndihmon në mënyrë të pazëvendësueshme në zhvillimin e qendrueshëm në të ardhmen. Është koha të zhvillojmë të njëjtin nivel të njohjes në disiplina të ndryshme për të kontribuar në qendrueshmërinë globale. Ky është shekulli i globalizimit dhe i zhvillimit të shpejtë të shoqërisë së dijes”.
Në emër të Shoqatës Mjedisore Ballkanike (Balkan Environmental Assocatiation, B.EN.A) përshëndeti prof. dr. Fokion Vosniakos, i cili shfaqi kënaqësinë dhe krenarinë për pjesëmarrjen në këtë konferencë që zhvillohet për të tretin vit me radhë. “Këto konferenca po bëhen traditë. Kam kënaqësinë që jam sot këtu si president i B.EN.A-s. Është e rëndësishme të krijojmë një strategji ndërkufitare për trajtimin e çështjeve mjedisore. Studimet e vazhdueshme janë të rëndësishme për reduktimin e ndotjes mjedisore”.
Më tej z. Vosniakos i akordoi dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. dr. Adem Bekteshi, një titull mirënjohjeje nga Balkan Environmental Assocatiation, B.EN.A, për kontributin e vazhdueshëm në organizimin e kësaj konference shkencore ndërkombëtare.
Përshëndeti konferencën edhe Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi, e cila pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në konferencë, prezantoi shkurtimisht disa projekte të Bashkisë në lidhje me disa metoda inovative në administrimin e informacionit. Ajo propozoi një bashkëpunim në kuadër të këtyre projekteve për menaxhimin e informacionit me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. “Është e rëndësishme të mësosh duke punuar. Në mund të bëjmë shumë gjëra të mira së bashku, për të mirën e Shkodrës”, përfundoi znj. Voltana Ademi.
Në seancën plenare u referuan këto kumtesa:
Energy and poverty (Energjia dhe varfëria)
Fokion K.Vosniakos
Ecological vision on the sustainable development (aspects from Albania)- (Vizioni ekologjik për zhvillimin e qëndrueshëm.- Aspekte nga Shqipëria)
Adem Bekteshi, Dhimitër Dhora
Ecotoxicity and Environmental-Impact Assessment of Nanoparticles. (Vlerësimi i nanogrimcave për ekotoksicitetin dhe impaktin mjedisor).
Ashok Vaseashta
Pesticide concentration levels and ecological risk assessment in natural surface ëaters and sediments of Greece. (Niveli i përqendrimit të pesticideve dhe vlerësimi i rrezikut ekologjik në sipërfaqen e ujërave natyrore dhe sedimenteve në Greqi).
Triantafyllos Albanis, Ioannis Konstantinou, Georgios Karras
Kjo konferencë kishte mbledhur së bashku studiues dhe pedagogë të shkencave të natyrës, për të diskutuar rreth metodologjive të mësimdhënies së shkencave të natyrës në të gjitha nivelet e shkollimit dhe mësimdhënies me politika të qëndrueshme për mjedisin.
Sesionet kryesore të kësaj konference trajtuan tema të lidhura me hulumtimet në shkencat natyrore të matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë, informatikës; ekologjinë e ajrit, tokës dhe të ujit; menaxhimin e mjedisit; didaktikën e shkencave natyrore në shkollë; shëndetin dhe sigurinë e mjedisit, etj..
Prezantimet në konferencë u bënë me kumtesa dhe postera.
- 3426 lexime