Gjykata e Apelit Shkodër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, si dhe Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizuan në Sallën e Konferencave pranë Rektoratit të USH-së një veprimtari shkencore në kuadër të aktiviteteve për “Ditën e Drejtësisë. 10 Maj 1913 – 10 Maj 2015”.
Duke marrë fjalën Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër, z. Fuat Vjerdha theksoi: “102 vjet më parë, më 10 maj 1913, shkodrani Tef Pogu, zyrtar i qeverisë së Vlorës, i cili merrej me çështjet e drejtësisë dhe të gjykimeve, nxori një urdhëresë në emër të zyrës që përfaqësonte dhe të qeverisë, ku përcaktohej që çështjet në vazhdim do të zgjidheshin nga kanuni i Jurive. Me këtë akt nisi rrugën e vet të gjatë dhe të vështirë drejtësia dhe sistemi gjyqësor i shtetit shqiptar”.
Tashmë është kthyer në traditë që 10 Maji të jetë “Dita e Drejtësisë” në Shqipëri, datë kjo e caktuar nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore e vitit 2000.
Në këtë veprimtari shkencore referuan si më poshtë:
Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, z. Arben Zefi referoi: “Rritja e besimit tek pushteti gjyqësor”.
Pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë, dr. Florjan Bjanku referoi: “Roli i doktrinës në jurisprudencë”.
Kryetarja e Gjykatës Administrative Shkodër, znj. Valbona Durraj referoi: “Gjykimi i domosdoshëm dhe risitë e ligjit për Gjykatat Administrative”.
Pedagogu Tonin Çobani mbajti ligjëratën: “Dimensioni kulturor i Kanunit të Lekë Dukagjinit”.
Znj.Greta Laloshi, kancelare e Gjykatës Administrative Shkodër kumtoi: “Historiku i Gjykatës së Apelit Shkodër”.
- 2658 lexime