Shtëpia

Dt.07.10.2013. U organizua një ceremoni zyrtare me rastin e hapjes së vitit të ri akademik 2013-2014.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” çeli sot dyert  për studentët e tij në këtë vit të ri akademik 2013-2014. Me këtë rast në sallën e konferencave pranë rektoratit, u organizua  një ceremoni zyrtare, në të cilën merrnin pjesë autoritete vendore, dekanë, pedagogë dhe studentë  të gjashtë fakulteteve të këtij Universiteti.Ceremoninë e hapi zv.rektori, prof.as.dr. Fatmir Vadahi, i cili u uroi mirëseardhjen dhe mbarësi studentëve e kolegëve të tij. Më pas përshëndeti rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, i cili u shpreh: “Sot ndihem dyfish i gëzuar dhe i emocionuar që më jepet rasti t’ju përshëndes në hapjen e këtij viti akademik jo vetëm si drejtues i këtij Universiteti, por edhe si kolegu apo pedagogu juaj, duke besuar dhe uruar në të njëjtën kohë që dita e sotme të shënojë fillimin e një beteje të re për më shumë dije, kulturë dhe për një nivel më të lartë cilësor në punën tuaj”. Më tej rektori Haxhi theksoi se synimi ynë është të bëhemi strehë e mendimit të lirë e të përgjegjshëm, promotorë të të vërtetave shkencore e sociale, aktorë të rëndësishëm të shoqërisë. “Me ide të tilla ne si universitet kërkojmë të dalim në treg, duke synuar forcimin e cilësisë në të gjitha ciklet e studimit. Në këtë mënyrë ne do ta forcojmë fizionominë tonë si një institucion i mirëfilltë akademik e shkencor.  Misioni ynë është ta çojmë Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” drejt standardeve dhe cilësisë së universiteteve evropiane”.Në këtë veprimtari mori fjalën edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, i cili uroi studentët për rezultate sa më të mira gjatë këtij viti akademik. Gjithashtu ai përshëndeti prindërit, që janë partnerë dhe mbështetës të fëmijëve të tyre. Z. Cungu theksoi se Këshilli i Qarkut Shkodër si institucion ka qenë dhe do të jetë një mbështetës i rëndësishëm për zhvillimin dhe modernizimin e Universitetit tonë dhe arsimit të lartë në përgjithësiUniversiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si pjesë përbërëse e arsimit të lartë publik në vendin tonë ofron 3 cikle studimi në sistemet e studimit me kohë të plotë dhe kohë të pjesshme. Këtë vit akademik në ciklin e parë të studimeve (Bachelor) me kohë të plotë është aplikuar për regjistrim në vitin e parë nga 2422 studentë të shpërndarë në 6 fakultete, ku 117 studentë janë nga trojet shqiptare. Numri i programeve të studimit Bachelor që aplikohet në këtë cikël studimesh është 24.Në ciklin e dytë të studimeve, në sistemin  me kohë të plotë, po aplikohet në 13 programe studimi Master profesional në Mësuesi, si dhe 4 Master profesional në sistemin me kohë të pjesshme. Në të njëjtën kohë ekzistojnë edhe 18 programe studimi Master Shkencor në fusha të ndryshme të shkencës, si: mësuesi, ekonomik, drejtësi, psikologji, biologji.Për herë të parë hapet programi i studimit Master shkencor: Studime rajonale në Gjeografi.Për realizimin e procesit mësimor sipas kërkesave të kohës janë në dispozicion 5 godinat mësimore. 81%  e stafit akademik të Universitetit tonë janë më tituj dhe grada shkencore, si: profesorë, profesorë të asociuar, doktorë shkencash dhe doktorantë.Vëmë në dukje se për realizimin me cilësi të procesit mësimor dhe kërkimit shkencor një ndihmesë jep dhe bashkëpunimi i Universitetit të Shkodrës me mbi 25 universitete të ndryshme perëndimore të Evropës dhe SHBA. Ne po punojmë, që Universiteti i Shkodrës me një përvojë  55-vjeçare në fushën e arsimit të lartë, do të jetë në nivelet që kërkon koha, për të përballuar sfidat në tregun universitar publik dhe jopublik, në shërbim të shoqërisë tonë, si dhe të zhvillimit rajonal të Shkodrës.