Me rastin e 20-vjetorit të krijimit të departamentit të Studimeve Angleze dhe Amerikane, ditën e premte, më 14 nëntor 2014, tek salla e konferencave A3 pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u organizua konferenca shkencore ndërkombëtare: “Rrugë të reja për promovimin e gjuhës angleze” (Shaping the way we promote English).
Kjo konferencë kishte si qëllim që të bëjë prezantimin e veprimtarisë 20-vjeçare të këtij departamenti të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Gjatë këtij eventi u paraqitën arritjet shkencore të pedagogëve të departamentit. Pjesë e veprimtarisë ishin edhe pedagogët e huaj, të cilët ndanë përvojën e tyre me pedagogët shqiptarë.
Në seancën plenare merrte pjesë edhe Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, i cili ndër të tjera theksoi: “Në këtë ditë të veçantë, gjej rastin të përcjell falënderimet më të përzemërta dhe të shpreh mirënjohjen, për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre e mundësuan hapjen e këtij programi studimi, i cili do të ndikonte fuqimisht jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë. Mirënjohje e falënderime për këta Universitete, në veçanti për Universitetin e Grazit, për drejtuesit e tyre në vite, për pedagogët e specialistët e tyre, që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në hapjen dhe konsolidimin e këtij departamenti, sidomos në kualifikimin e stafit pedagogjik. Gjithashtu, falënderimi im, u drejtohet të gjithë pedagogëve, duke filluar nga ata më me përvojë e deri tek ata më të rinjtë, që kanë meritën se jo vetëm i ngritën, por edhe po i mbajnë dhe po i çojnë më përpara arritjet e këtij fakulteti”.
Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof.as.dr. Rajmonda Këçira, në përshëndetjen e saj theksoi se në këto 20 vjet Fakultetit i Gjuhëve të Huaja ka pasur arritje shumë të mëdha.
“E nisëm më një staf të vogël dhe bëmë një rrugëtim plot sfida, duke u përkushtuar në punë dhe duke u kualifikuar. Ishim vetëm 4 pedagogë kur filloi gjithçka, por me ndihmën e rektorëve: Gj. Kolombi, Gj. Gruda, M. Hoti, A. Haxhi dhe me një mbështetje të jashtëzakonshme të Universitetit Gracit (Austri), Simon Edwards, pedogogëve të tjerë amerikanë, si dhe përfaqësuesit e Peace Corp në Shqipëri, arritëm plot suksese në punën tonë mësimdhënëse dhe në kërkimin shkencor. Këtë rrugëtim kualifikues brenda dhe jashtë vendit, po e ndjekin sot studentët tanë më të shkëlqyer. Një falënderim të veçantë desha të bëj sot në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare edhe për donatorët që mbështetën këtë veprimtari: Rainffeisen Bank, BERTTONI dhe Sidi Education”.
Prof.dr. Refik Kadija, dekani i parë i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, solli emocionet e tij për pranishmit në këtë ditë të shënuar. Më pas vijuan me fjalët e tyre: përgjegjësja e Departamentit të Anglistikës dr. Meri Gjeluci, si dhe pedagogët e ftuar: Roberta Maierhofer, Simon Edwards. Një përshëndetje e veçantë erdhi edhe nga ish-studentja Rregjina Gokaj, sot zv. Rektore në Universitetin e Durrësit.
Në vijim u bë një prezantim me foto i rrugëtimit 20-vjeçar të departamentit të Studimeve Angleze dhe Amerikane.
Në organzimin e këtij aktivitetit ndihmuan si sponsorë: Raiffeisen Bank, BERTTONI, Sidi Education.
Kësaj konference iu bashkua edhe prezantimi i arritjeve të studentëve, nëpërmjet një aktiviteti që u zhvillua po më datë 14 nëntor 2014, ora 15:30, tek salla e konferencave A3, pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Më poshtë po ju bashkangjisim programin e kësaj konference shkencore.
- 3035 lexime