Një delegacion i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës zhvilloi sot një takim pune në rektoratin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Pasi u uroi mirëseardhjen, Rektori i USH-së, prof. dr. Artan Haxhi, solli në vëmendje marrëdhëniet e hershme të institucionit që përfaqëson me universitetet e Kosovës dhe institucionet e kërkimit shkencor. Duke u fokusuar tek bashkëpunimi aktual me këto institucione, ai theksoi se ka ardhur koha të synojmë cilësinë. U vlerësuan kontributet e përbashkëta sidomos në fushën e albanologjisë.
Nënkryetarja e Këshillit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, prof. dr. Myzafere Limani, u shpreh pozitivisht për rritjen e bashkëpunimit me Universitetin e Shkodrës. Në këtë kuadër duhet parë forcimi dhe ngritja e cilësisë së kërkimit shkencor. “Ne duhet të jemi pjesë reale e Evropës në fushën e arsimit të lartë. Ministria jonë ka disa iniciativa konkrete siç janë: Rritja e mobilitetit jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në fushën e kërkimit shkencor. Botimet e përbashkëta. Rritja e influencës së universiteteve shqiptare në arenën ndërkombëtare”.
Drejtori i departamentit të Shkencës dhe të Teknologjisë, z. Murteza Osdautaj, theksoi se qëllimi i vizitës sonë është ofrimi i një iniciative konkrete për rritjen e kapaciteteve shkencore dhe të cilësisë së saj në kuadër të projekteve evropiane. “Kemi dëshirë që të institucionalizojmë mobilitetin e shkencëtarëve duke mbuluar disa shpenzime në këto lëvizje. Duke bashkuar forcat dhe buxhetet, do të krijojmë grupe të përbashkëta hulumtimi, duke rritur performancën shkencore, në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të fitojmë fonde evropiane”.
Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtori i Institutit Albanologjik në Kosovë, kujtoi eksperiencat pozitive të Universitetit të Shkodrës në krijimin e instituteve shkencore, si dhe hapat e mirë në fushën e botimeve. Në këtë kontekst të gjithë folësit evidentuan rëndësinë që ka ndërkombëtarizimi i botimeve universitare.
Pjesëmarrësit e takimit dypalësh ndanë mendimin e përbashkët që duhet të vazhdohet me hapa konkretë për progres të shkencës në të gjitha territoret shqiptare, për ta nxjerrë në sipërfaqe ekselencën tonë intelektuale.
- 2616 lexime