Dt. 13 dhjetor 2017. Departamenti i Letërsisë zhvilloi një veprimtari promovuese të disa botimeve shkencore 2016-2017
Departamenti i Letërsisë i Fakultetit të Shkencave Shoqërore pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në kuadër të 60-vjetorit të krijimit të USH-së, organizoi një veprimtari promovuese të disa botimeve shkencore të pedagogëve të këtij departamenti.
Në aktivitetin promovues: “Studime letrare 2016-2017” u prezantuan librat:
“Shqiptarë në liri. Diaspora shqiptare në Amerikë” nga prof. dr. Eleni Karamitri
“Probleme, autorë dhe vepra nga letërsia shqipe bashkëkohore” nga prof. as. dr. Arben Prendi
“Arti poetik” dhe “Fjalori i rimave” nga prof. as. dr. Vinçens Marku
“Në kërkim të një drame “ndryshe”” ; “Albanian authors in search of a “peculiar” drama type” nga dr. Gëzim Puka.
Promovimi u zhvillua ditën e mërkurë, më 13 dhjetor 2017, në Bibliotekën Shkencore Universitare.
Në fjalën e tij përshëndetëse prof. dr. Adem Bekteshi, Rektor i Universitetit të Shkodrës, vlerësoi punën shkencore të pedagogëve të Departamentit të Letërsisë dhe përgjegjësinë e tyre përmes vëzhgimit dhe oponencës, që i bëjnë punës akademike në këtë njësi bazë.
Drejtori i Departamentit të Letërsisë, prof. as. dr. Vinçens Marku, bëri një paraqitje historike të punës së departamentit, duke evidentuar figurat më të spikatura të profesoratit ndër vite. Me tej ai vlerësoi veprimtarinë botuese aktuale dhe përkushtimin e kolegëve. “Kjo është një ditë e shënuar për pedagogët tanë, sepse kurorëzojnë veprimtarinë e tyre kërkimore e studimore letrare gjatë vitit akademik 2016-2017, por kjo ditë është e veçantë edhe për një arsye tjetër, sepse kjo veprimtari po ndodh në vitin e 60 të jetës së Universitetit tonë, pjesë e të cilit është edhe Departamenti i Letërsisë, si një njësi themeltare e këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit të lartë në Shqipëri”, përfundoi V. Marku.
Prof. dr. Alfred Çapaliku diskutoi për studimin më të fundit të prof. dr. Eleni Karamitrit “Shqiptarë në liri”, i cili përcjell një pikëvështrim interesant mbi letërsinë shqiptare të prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Letërsia e diasporës është një letërsi e prodhuar në liri jashtë domeneve të politikës dhe modeleve të imponuara estetike”, theksoi A.Çapaliku.
Prof. as. dr. Arben Prendi diskutoi mbi veprën studimore dhe përkthimore “Arti poetik” të teoricienit francez Nicolas Boileau, të studiuar dhe të sjellë në shqip nga prof. as. dr. Vinçens Marku, ku riafirmohet modeli horacian. Shkrimi në vargje, ekuilibri, mjeti i saktë, natyrshmëria dhe harmonia dalin në dritë si vlera të mirëkuptimit.
Në vijim të këtij diskutimi, prof. as. dr. Arben Prendi, u fokusua edhe tek studimi i dr. Gëzim Pukës, “Në kërkim të një drame “ndryshe””. “Ky studim mbi dramën shqipe bashkëkohore shquhet për asimilimin e lëndës teoriko-letrare në dobi të analizës dhe interpretimit të tekstit dramatik duke pasur në qendër vlerën estetike të tij. Studimi me gjerësinë e veprave dramatike të bëra objekt analize, me thellësinë e vështrimit të stukturës artistike dhe përmbajtjësore, me alternimin e metodave të analizës kritike tradicionale me ato të analizës tekstuale e semiotike, sjell një kontribut të rëndësishëm në studimet tona mbi dramën shqipe bashkëkohore”, përfundoi A.Prendi.
Dr. Gëzim Puka në kumtesën e tij vlerësoi librin studimor të prof.as.dr. Arben Prendit “Probleme, autorë dhe vepra nga letërsia shqipe bashkëkohore”, si një studim i thelluar mbi letërsinë shqipe bashkëkohore, mbi letërsinë romantike e moderne dhe mbi folklorin e letërsinë gojore shqiptare. “Autori A. Prendi përmes këtij punimi jep një ndihmesë të re në njohjen, analizën dhe interpretimin e veprës letrare të disa autorëve me synimin që të jetë i dobishëm sidomos për studentët dhe mësuesit e letërsisë apo të interesuar të tjerë, që dëshirojnë të kenë një pamje më të qartë për letërsinë shqiptare”, theksoi G.Puka. Në vijim folësi diskutoi rreth librit tjetër që promovohej “Fjalori i rimave” i prof.as.dr. Vinçens Markut, duke e vlerësuar si një mjet të qëlluar pune për poetët, gjuhëtarët, përkthyesit, studentët etj.
Rreth veprës “Probleme, autorë dhe vepra nga letërsia shqipe bashkëkohore” të prof.as.dr. Arben Prendi, diskutoi Dieleta Përlleshi, studente e ekselencës.
Veprimtaria u mbyll me shfaqjen në ekran të një fragmenti nga komedia “Rinoceronti” e Joneskos e vënë në skenë disa muaj më parë nga Universiteti i Shkodrës, në të cilën interpretuan edhe studentë të gjuhë-letërsisë.
- 2825 lexime