Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizoi sot paradite në pedonalen përpara Bashkisë së Shkodrës panairin e turizmit kulturor: “Shkodra - Traditë, kulturë, histori”, në të cilin u prezantuan disa nga bizneset më të suksesshme të rajonit të Veriut të Shqipërisë. Fakulteti Ekonomik në 20-vjetorin e krijimit të tij promovoi përmes kësaj veprimtarie ndihmesën e tij në ekonominë e rajonit. “Është hera e parë që organizohet në Shkodër një panair i këtij formati”, vuri në dukje dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti. Më tej ajo shtoi se është zgjedhur kjo formë e organizimit të panairit, sepse Shkodra vlerësohet si një thesar i çmuar vlerash historike dhe kulturore, me të cilat ne mburremi. Si i tillë qyteti ynë përbën një destinacion turistik të rëndësishëm në hartën e turizmit kulturor të Shqipërisë. Prof.as.dr. Brilnda Bushati (drejtore e departamentit të Turizmit), duke përshëndetur aktivitetin u shpreh se përmes tij ne po prezantojmë një buqetë nga ngjyrat e trashëgimisë kulturore të Shkodrës, si dhe po paraqesim disa nga subjektet më përfaqësuese të aktorëve të turizmit të rajonit tonë. Nga ora 10:00 - 11:00 u zhvillua një paradë me veshje që evokonin vlerat historike dhe karakteristikat e zonës. Ra në sy të pjesëmarrësve parada me veshje ilire, arbërore, veshjet nga Malësia e Madhe, veshjet e nuses e të dhëndrit shkodran, si dhe parada me maska karnevalesh. Në programin e panairit pati edhe interpretime të këngës popullore shkodrane. Më pas veprimtaria vazhdoi me vizita në këndet e secilit prej pjesëmarrësve në këtë panair. Disa nga aktorët kryesorë që kishin ekspozuar produktet e tyre ishin restorante dhe hotele, si: Tradita, Grand Hotel Europa, Hotel Colosseo, Hotel Argenti, Hotel Rozafa, etj. Tërhoqën vëmendjen produktet e agrikulturës, si dhe punimet artizanale; pikturat me djegie në dru, punimet tekstile, argjendaritë, maskat, etj. Në këtë panair ishin përfaqësuar edhe institucionet kulturore, si: Teatri “Migjeni” i Shkodrës, shkolla e muzikës “Prengë Jakova”, Sport Klub “Vllaznia”, Muzeu i Shkodrës, Fototeka Marubi, Galeria e Arteve. Qëllimet e këtij aktiviteti: Promovimi i vlerave kulturore të qytetit të Shkodrës. Fokusimi në paraqitjen e historisë dhe të vlerave të asaj çfarë ofronin ekspozuesit. Prezantimi dhe promovimi i Fakultetit Ekonomik dhe veçanërisht i departamentit të Turizmit. Promovimi i projektit Chtmbal. Kontributi i tij në zhvillimin e Fakultetit Ekonomik dhe veçanërisht për departamentin e turizmit. Transmetimi tek të rinjtë i kulturës dhe traditës së qytetit të Shkodrës ndër vite. Në përfundim mund të themi se ky aktivitet ishte më i veçanti në krahasim me të gjithë aktivitetet e këtij lloji të zhvilluara më parë. Fakulteti Ekonomik si promotor i kësaj veprimtarie, pati një impakt të gjerë tek përfaqësuesit e institucioneve kryesore të rajonit, qytetarët shkodranë, studentët, nxënësit e shkollave të mesme, etj.
Mbështetës të panairit ishin: Bashkia e Shkodrës, VEAT sh.p.k, Hotel Colosseo, Klubi sportiv "Vllaznia", Firma "Merdita"sh.p.k, Agjencia turistike "Shkodra Travel", Agjencia turistike "Europa Travel", Ballkan Peace Park Project, Restorant Tradita, Teatri "Migjeni", Hotel Argenti, Medreseja "Haxhi Sheh Shamia", Firma e maskave "Venice Art", Shoqata e artizanëve të punimeve artistike të Shqipërisë, Qendra kulturore "Pjetër Gaci", Qendra kulturore e fëmijëve Shkodër, Gjimnazi "28 Nëntori", Velaria Orchidea Sposa Shkodër, Reparti i rrobaqepsisë së Begati Isufit (Barbullush), Reparti i rrobaqepsisë së Luljeta Sokolit (Cungu), z. Arben Gjuraj (Komuna Dajç).
- 2586 lexime