Universiteti i Shkodrës dhe Universiteti i Gracit kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë për rreth 25 vjet. Për të intensifikuar bashkëpunimin ekzistues, me 26 Janar 2018, një delegacion i Universitetit të Shkodrës i përbërë nga rektori prof. dr. Adem Bekteshi, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. dr. Suzana Golemi dhe dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof. as. dr. Alma Hafizi, vizituan Universitetin e Gracit. Rektori Christa Neuper priti Rektorin Bekteshi dhe grupin shoqërues për shkëmbim mendimesh dhe idesh, si dhe hulumtoi mundësi të reja për bashkëpunim.
Rektori Bekteshi e njohu Rektoren Neuper me impaktin e ndihmës që Universiteti i Gracit ka dhënë Universitetit të Shkodrës. Bisedimet më tej u përqendruan në fushat e bashkëpunimit për projekte shkencore, të shkëmbimit të stafit akademik dhe të studentëve të ekselencës, të kualifikimit të stafit të ri akademik, të mbështetjes me staf të pjesshëm akademik nga Universiteti i Gracit për programe të reja studimi në fushën e sporteve dhe të edukimit fizik. Gjithashtu u diskutua për mundësitë e aksesit në Bibliotekat dixhitale të Universitetit të Gracit. Në kuadër të partneritetit, Rektori Bekteshi ftoi për vizitë në Universitetin e Shkodrës homologen e tij Neuper.
Pas takimit me Rektoren Neuper, delegacioni i Universitetit të Shkodrës pati një takim miqësor me prof. dr.Walter Hoeflehner, koordinatori i universitetit të Gracit në marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve.
- 2487 lexime