Në kuadër të 60-vjetorit të themelimit të Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u krijua një trupë teatrale studentore, e cila vuri në skenë dramën “Rinoceronti” të autorit Eugjen Jonesko.
Kjo shfaqje ishte një iniciativë e Rektoratit të USH-së, nën kujdesi e veçantë të rektorit, prof. dr. Adem Bekteshi. Ajo erdhi në vazhdën e një tradite tashmë të krijuar me vënien në skenë suksesshëm të komedisë “Bretkosat” të Aristofanit më 27 dhe 28 maj 2015, një ngjarje artistike interesante.
Pas disa audicioneve të shpallura, për këtë shfaqje të radhës, u përzgjodhën 13 studentë të fakulteteve të ndryshme që kishin prirje dhe u pëlqente të merren me teatër. Provat filluan me 29 mars 2017 dhe u zhvilluan çdo ditë në studiot e teatrit “Migjeni”.
Gjatë këtij rrugëtimi artistik studentët zhvilluan edhe disa shprehi të punës në grup, disiplinës artistike, që janë shumë të vlefshme për ardhmërinë e tyre profesionale.
Drama u shfaq më 29 dhe 30 maj 2017, ora 19:00, në teatrin “Migjeni”. Ajo u ndoq me vëmendje të veçantë nga pedagogët, studentët, komuniteti i gjerë, si dhe u shoqërua nga një jehonë e gjerë mediatike.
“Rinoceronti” është pa dyshim një nga pjesët më të qarta dhe më të shfaqura në skenat evropiane të Eugjen Joneskos, këtij dramaturgu të madh francez me origjinë rumune. Vepra ngrihet si një aktakuzë e fuqishme kundër çdo lloj diktature, e kuqe apo e zezë qoftë, që e katandis njeriun në një hiç, e detyron të tjetërsohet e të bëhet kafshë dhe nëse dëshiron të mbijetojë, e bën të jetë hipokrit, e zhvesh nga idealet; e kthen dhe e bën një lodër qesharake forcën e logjikës njerëzore. Fjalës së tij i heq çdo kuptim dhe e bën njeriun që ta ndiejë veten të vetmuar, edhe kur ndodhet në mes të të tjerëve.
Kjo pjesë pati një pritshmëri të mirë nga spektatori, pasi në esencë ishte humaniste, plot ironi dhe humor që është shprehje e një epërsie shpirtërore. Shfaqja përcolli tek studentët-spektatorë dhe më gjerë mesazhin e besimit tek njeriu që nuk dorëzohet duke mbrojtur deri në fund me krenari idealin e tij human. Para së gjithash kjo është një dramë kundër epidemive dhe histerive kolektive, duke e lënë shtegun të hapur për interpretime nga më të ndryshmet. Ideja e saj liberale përkon me idetë universitare që gjithmonë shkojnë kundër totalitarizmave në përgjithësi.
Ideja dhe realizimi: Dr. Gëzim Puka, pedagog i Departamentit të Letërsisë.
Regjia: Merita Smaja, Gëzim Puka.
Në rolet e mëposhtme interpretuan studentët:
Beranzhe -Eduard Hysaj – (Dega Histori, Fakulteti i Shkencave Shoqërore)
Zhani - Lorenc Smajlaj – (Dega Juridik, Fakulteti i Drejtësisë)
Dezi - Dila Prenga – (Master Gjuhë-Letërsi, Fakulteti i Shkencave Shoqërore)
Dydardi - Senad Tula – (Dega Gazetari - Komunikim, Fakulteti i Shkencave Shoqërore)
Znj. Botard - Fatjona Bushaj – (Dega Administrim-Biznes, Fakulteti Ekonomik)
Logjisjeni - Aleksandër Prenga – (Dega Gjuhë-Letërsi, Fakulteti i Shkencave Shoqërore)
Z. Papijon - Ledian Prebibaj – (Dega Financë-Kontabilitet, Fakulteti Ekonomik)
Znj. Bëf - Hymerta Ura - (Dega Gazetari - Komunikim, Fakulteti i Shkencave Shoqërore)
Zotëria Plak - Mark Naçaj – (Dega Gjuhë-Letërsi, Fakulteti i Shkencave Shoqërore)
Amvisa - Xhesika Lika - (Dega Juridik, Fakulteti i Drejtësisë)
Dyqanxhesha - Najada Bregu - (Dega Juridik, Fakulteti i Drejtësisë )
I Zoti i Kafenesë - Donald Zefi - (Dega Administrim- Biznes, Fakulteti Ekonomik)
Kamarierja - Ersilda Tafili – (Dega Administrim-Biznes, Fakulteti Ekonomik)
- 4865 lexime