- Shqip
- English
Organizata “AnifestRozafa” në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Arteve dhe Departamentin Psikologji-Punë Sociale të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizuan festivalin “A-FestFilmROZAFA2018 ", në kuadër të Edicionit të 9 të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në datat 15, 16, 17 dhe 18 maj 2018, në ambjentet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u shfaqën 9 dokumentarë, të cilët ishin pjesë e konkurimit në këtë festival. Këto dokumentarë u ndoqën nga studentët e programit të studimit Bachelor në Psikologji dhe në Punë Sociale si dhe nga pedagogë të departamenteve respektive. Aktivitetet u moderuan nga pedagogia Dr. Brilanda Lumanaj.
Dokumentarët pjesë e konkurimit në këtë festival ishin: “Champions” nga Anastasija Bräuniger, Gjermani; “Say dyslexia” nga Ben Tobin, SHBA; “The deported childhood” nga Faridur Rahman, Bangladesh; “The research club” nga José Cardoso, Afrika e Jugut; “Points of view” nga Isa Meneghini, Brazil; “Villa Warna Warni” nga Dennis Koeppl, Gjermani; “Honey hills” nga Iván Martín, Spanjë; “The silent glow-recovering the present” nga Anja Krug-Metzinger, Gjermani dhe “Danka n’ Danka- journey to the Gambia” nga Valtteri Porola, Finlandë.
Dokumentarët trajtonin tematika psiko-sociale, me fokus kryesor të drejtat e fëmijëve. Ato ngjallën mjaft interes tek studentët, të cilët u përfshinë në diskutime konstruktive në fund të shfaqjes së çdo dokumentari. Pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte një mundësi e mirë për studentët për t’u njohur me praktika profesionale, eksperienca të vullnetarizmit, zbatimin e projekteve sociale si dhe karakteristika të kulturave të ndryshme nga arena ndërkombëtare.
Studentët në përfundim të aktivitetit votuan për dokumentarin më të mirë. Me shumicë votash u shpall fitues dokumentari me metrazh të gjatë “Villa Warna Warni” nga Dennis Koeppl, Gjermani. Studentët së bashku me moderatoren ishin të pranishëm në natën finale të festivalit, organizuar më 23 maj 2018, në mjediset e Kinema “Millenium”, për dhënien e çmimit fitues. Ato ndanë me pjesëmarrësit përshtypjet në lidhje me aktivitetin si dhe shpjeguan rëndësinë e tematikave të trajtuara në dokumentarët konkurues.
- 9747 lexime