Shtëpia

Mirë se vini në Fakultetin Ekonomik

 

Më datë 19 Mars 2018, Fakulteti Ekonomik organizoi aktivitetin në kuadrin e ditëve të hapura “Mirë se vini në Fakultetin Ekonomik”.  Qëllimi i këtij aktiviteti ishte promovimi i Fakultetit dhe mundësive që ai ofron si për maturantët, që së shpejti do bëjnë zgjedhjen e tyre për vazhdimin e studimeve të larta, ashtu edhe për studentët në përfundim të studimeve të ciklit Bachelor. Të pranishëm në këtë takim ishin maturantë nga shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës dhe më gjerë, studentë, prindër, drejtues shkollash, mësues, si dhe i gjithë stafi i Fakultetit Ekonomik.

Aktiviteti i sipërpërmendur në fakt përfaqësonte përmbylljen e fushatës promovuese të zhvilluar gjatë muajit Shkurt dhe Mars nga stafi i Fakultetit Ekonomik, përmes vizitave në shkollat e mesme, publike dhe private, të përgjithshme dhe profesionale, të qytetit të Shkodrës, Lezhës dhe më gjerë. Gjatë këtyre vizitave maturantët u informuan rreth programeve të studimit që ofron ky fakultet, kritereve të vendosura prej tij për pranimin e studentëve në vitin akademik 2018-2019, si dhe pikat e forta që karakterizojnë këtë fakultet. Ndër këto të fundit përmendim: stafin akademik të kualifikuar dhe mjaft të përkushtuar, lidhjet me universitetet perëndimore dhe mundësitë për zhvillim e një pjese të studimeve në këto universitete, mundësinë për të zhvilluar leksione me pedagogë të huaj në auditoret e këtij fakulteti, lidhjet e forta me tregun e punës dhe biznesin etj.

Ndërkaq, në aktivitetin përmbyllës të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me Fakultetin Ekonomik përmes zërit të studentëve të diplomuar në këtë fakultet ndër vite e që tani përfaqësojnë shembuj suksesi në karrierrën e tyre, si dhe të studentëve që ende vazhdojnë të jenë pjesë e auditoreve të tij dhe kanë qenë pjesë e mobiliteteve drejt universiteteve perëndimore.

I ftuar nderi në këtë takim ishte edhe Prof. Ted Oelfke, nga Sandhills Community College, I Karolinës së Veriut, në SHBA, i cili në fjalimin e tij theksoi lidhjen e fortë mes Fakultetit Ekonomik dhe institucionit që ai përfaqëson, dhe garantoi vazhdimësinë e kësaj lidhjeje, tashmë 10-vjeçare, përmes rinovimit së shpejti të marrëveshjes mes këtyre dy institucioneve. Në kuadrin e kësaj marrëveshje, një pjesë e stafit të Fakultetit Ekonomik, sikurse edhe studentët më të mirë të tij, janë përfshirë në mobilitete konkrete me qëllim mësimdhënien apo zhvillimin e praktikave profesionale pranë universiteteve të Karolinës së Veriut dhe kjo eksperiencë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Gjithashtu, maturantët dhe studentët, patën mundësinë të njiheshin me aktivitetet e shumta të organizuara nga Fakulteti Ekonomik dhe jetën e pasur e të gjallë të studentëve të tij, përmes dy videove të shkurtra dhe prezantimit të një projekti konkret marketing të zhvilluar nga një grup studentësh në kuadrin e programit mësimor.

Aktiviteti u mbyll me nje seancë diskutimi mes audiencës dhe stafit drejtues të Fakultetit Ekonomik e me dëshirën e mirë që maturantët prezentë t’u shtoheshin auditoreve të këtij fakulteti në vitin e ri akademik 2018-2019.

 

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).