- Shqip
- English
Në kuadër të projektit të Menaxhimit Financiar, Kontabilitetit dhe Kontrollit për ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike (FINAC), Programi i BE-së ERASMUS +, nënprogrami Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin e Lartë, në 26 Prill 2017 në USH u organizua aktiviteti i dytë në Shqipëri për të prezantuar projektin FINAC. Ky takim vjen pas takimit të parë të zhvilluar në UET në lidhje me këtë projekt, në datën 25 Prill 2017.
Takimi u zhvillua në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, salla e Senatit me përfaqësues të universiteteve partnere në Shqipëri e Serbi si dhe përfaqësues të administratës publike nga institucione të ndryshme në rajonin e Shkodrës. Në takim merrte pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Znj. Voltana Ademi. Të gjithë të pranishmit diskutuan më tej rreth këtij bashkëpunimi.
Folës në takim ishin zv.Rektori për Marrëdhëniet me Jashtë të Universitetit të Beogradit, prof. Ivanka Popovic, Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Prof.As.Dr Blerta Dragusha, përgjegjëse e departamentit Financë- kontabilitet pranë Fakultetit Ekonomik Universtiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Prof. As. Dr Elidiana Bashi, ish – dekania e Fakultetit Fkonomik, Prof.dr. Arjeta Troshani, Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Znj Voltana Ademi, dhe koordinatorja e projektit FINAC, prof. Sladjana Benkovic (Universiteti i Beogradit).
Takimi u moderua nga Dekania e fakultetit ekonomik, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër,njëkohësisht dhe koordinatorja e këtij projekti, për universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Prof.As.Dr Blerta Dragusha. Referuesit, dikskutuan mbi domosdoshmërinë e hapjes së një Master-i për administratën publike, dhe prezantimin e të gjithë aktorëve rajonal kryesor në Shkodër me këtë projekt, në të cilin Fakulteti Ekonomik është partner.
Qëllimi kryesor i projektit është të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive në administratën publike nëpërmjet zhvillimit të programeve master në fushat e menaxhimit financiar, kontabilitetit dhe kontrollit. Projekti po zbatohet në Shqipëri dhe Serbi, dhe konsorciumi përbëhet nga 12 anëtarë (nga Shqipëria, Serbia dhe katër vende të BE-së). Institucioni koordinues i projektit FINAC është Universiteti i Beogradit, Fakulteti i Shkencave Organizative. Partnerë nga Shqipëria janë Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës” dhe Universiteti Europian i Tiranës.
- 3464 lexime