- Shqip
- English
Në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit me datë 24 prill 2017 Fakulteti i Shkencave Shoqërore në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Albanologjike organizuan në ambientet e Bibliotekës së Universitetit ”Luigj Gurakuqi” veprimtarinë me titull “Risultati degli ultimi vent’anni di ricerca su Albania e Scutari, dal secolo XV al secolo XVIII” me historianen e njohur italiane Lucia Nadin, së cilës në vitin 2015 iu akordua Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Në këtë aktivitet merrnin pjesë rektori i Universitetit të Shkodrës prof. dr. Adem Bekteshi, studiues, pedagogë e studentë, të cilët shfaqën interes për punën e palodhur të kërkueses kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Veprimtarinë e hapi dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore prof. dr. Mimoza Priku e cila në bashkëpunim me drejtorin e Institutit të Studimeve Albanologjike prof. dr. Artan Haxhi kishin përgatitur në mënyrë të përmbledhur një kronologji të kontributit shkencor të studiueses duke u ndalë në botimet: “Venecia dhe Shqipëria. Gjurmë të lidhjeve të lashta” (Venecia, Agfol, 1995);“Migrimi dhe integrimi. Rasti i shqiptarëve në Venecia” (1479-1552; Romë, Bulzoni, 2008); “Statutet e Shkodrës, në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469” (Tiranë, “Onufri”, 2002); “Shqipëria e rigjetur. Zbulime të pranisë shqiptare në kulturën dhe artin e viteve 1500 të Veneto-s” (Tiranë, “Onufri”, 2012);“Venecia dhe Shqipëria. Një histori e takimeve dhe lidhjeve shekullore” ( Rajoni Veneto, Grafika Antiga, Crocetta del Montello (TV), 2014).
Më pas studiuesja italiane Lucia Nadin arriti të përmblidhe brenda një ore punën e saj voluminoze duke i ilustruar me fakte e të dhëna historike të gjithë hulumtimet e 20 viteve kushtuar Shqipërisë, Shkodrës e shqiptarëve, duke nisur me vitin 1478, të cilin Nadin e quajti “stina e emigrimit të madh” në Venecia dhe solli në vëmendjen e këtyre kërkimeve humanistin dhe historianin e njohur Marin Barleti. Me mjaft interes u pritën gjetjet e saj për tipografinë e librit të parë të gjuhës shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut dhe interpretimet për figurën e Skënderbeut. Në mënyrë të thukët studiuesja veneciane interpretoi lidhjet shekullore mes Shkodrës dhe Venecias duke u ndalur në veçanti tek Statutet e Shkodrës. Të gjitha këto gjetje u pritën me mjaft interes nga të pranishmit.
- 3209 lexime