Ditën e hënë, më datë 26 tetor 2015, ora 11:00, në Bibliotekën Shkencore Universitare u organizua një takim me tenorin me famë botërore Agim Hushi.
Sipas programit të veprimtarisë, këtë takim e hapi pedagogu Qamil Gjyrezi, i cili referoi kumtesën: “Muzika operistike për edukimin dhe formimin intelektual, natyra psikologjike e saj”. Folësi bëri një prezantim të jetës dhe karrierës së këtij të këtij tenori shumë të njohur në arenë ndërkombëtare. U evidentua fakti se Agim Hushi është solisti i parë shqiptar, të cilit i është ofruar një kontratë ndërkombëtare. Pasi i ndërmendi të pranishëmve faktin se Hushi ka qenë një student i degës së gjuhë-letërsisë në USH, Gjyrezi u ndal tek vlerësimet e kritikës muzikore ndërkombëtare për këtë tenor të famshëm, i cili ka kënduar në Australi, Zelandë të Re, Kinë, SHBA, Malajzi, Singapor, Brunei, Hungari, Gjermani, Rusi, Slloveni, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Çeki, Rumani, Bullgari, Francë, Greqi, Qipro, Danimarkë, Itali, Spanjë, Britani të Madhe, Zvicër, Austri, etj.. Në vitin 2000 kryeministri i Australisë i ka akorduar Agim Hushit titullin më të lartë: “Emerging artist of the year 2000”
Duke referuar temën: “Muzika operistike dhe rëndësia e saj. Eksperienca botërore e aktivitetit operistik”, prof. Agim Hushi ndër të tjera theksoi se të ndërtosh një karrierë si artist shqiptar në botë është një ndërmarrje e shumë e vështirë. “Të merresh me art të vërtetë është një sfidë, sepse në kohën tonë arti ka marrë një rrugë komerciale, por sa më shumë art i madh të prodhohet, aq më shumë shpresa ka për njerëzimin”. A. Hushi falënderoi organizatorët, studentët e pedagogët për pjesëmarrjen në këtë veprimtari, si dhe bëri një vlerësim për Universitetin e Shkodrës, pjesë e të cilit ka qenë edhe ai, si student i gjuhë-letërsisë.
Pedagogët dhe studentët pjesëmarrës përcollën me mjaft interes këtë takim, përmes diskutimeve dhe pyetjeve të tyre.
Gjatë aktivitetit për të pranishmit u shfaqën disa fragmente interpretimesh të tenorit Agim Hushi.
- 2129 lexime