Më datë 1 dhjetor 2015, në orën 10:00, në sallën e konferencave A3 pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u prezantuan disa plane eksporti nga studentët e Fakultetit Ekonomik, në kuadër të kursit të trajnimit "Export Managemnet Plus", që këto studentë kanë realizuar në bashkëpunim me kompaninë italiane të konsulencës "Profin".
Veprimtarinë prezantuese e hapi pedagogu Rudin Beka. Qëllimi i këtij takimi ishte që të promovojë planin e eksportit më të mirë të realizuar nga studentët, me të cilin do të nënshkruhet një kontratë ndërmarrjeje e përbashkët mes një kompanie italiane dhe asaj shqiptare për zhvillimin e eksporteve drejt tregut të Ballkanit dhe Evropës Perëndimore në sektorë të ndryshëm si: transporti, veshja etj, duke treguar kështu që është e mundur krijimi i një ure ndërmjet universitetit dhe botës se biznesit.
Duke marrë fjalën Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani falënderoi studentët pjesëmarrës në këtë projekt dhe përfaqësuesin e kompanisë italiane të konsulencës "Profin", z. Nicolò Castello. Dekania u shpreh se kjo është e para iniciativë e Fakultetit Ekonomik në bashkëpunim më një kompani italiane konsulence biznesi, e cila organizoi këtë kurs trajnimi, që do t’i përgatisë studentët me njohuri praktike në fushën e menaxhimit të eksporteve. Troshani vlerësoi faktin se ky kurs u ka shërbyer më së miri studentëve të certifikuar dhe u ka dhënë një ide të mirë, që mbase do t’u vlejë për punësim në të ardhmen.
Nicolò Castello u shpreh mjaft i kënaqur nga ky bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik, i cili e arriti objektivin e synuar.
Njëzet studentët pjesëmarrës prezantuan konkretisht planet e eksportit të realizuara.
- 3309 lexime