Një grup studentësh gjermanë të shoqëruar nga prof. dr. Klaus Buchenau, pedagog i historisë në Universitetin e Regensburg (Gjermani), vizituan Departamentin e Gjermanistikës pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Përgjegjësja e këtij departamenti, prof. as. dr. Edlira Bushati, në prezantimin e saj u shpreh se prof. dr. Klaus Buchenau udhëton çdo vit në universitete të ndryshme, sidomos në Evropën Juglindore, për të shkëmbyer eksperiencë me pedagogë dhe studentë të këtyre vendeve. Ky fakt paraqiti interes edhe për studentët e gjermanistikës në Universitetin e Shkodrës, të cilët patën mundësi të njihen nga afër me studentë gjermanishtfolës.
Prof. dr. Klaus Buchenau u shpreh i kënaqur për nivelin e njohjes së gjuhës gjermane nga ana e studentëve shqiptarë. Ai theksoi se vizita të tilla janë shumë të vlefshme, pasi duke komunikuar direkt mes tyre, të rinjtë jo vetëm zhvillojnë aftësitë për gjuhën, por njohin më mirë kulturat reciproke, si dhe marrin një informacion që mund t’u vlejë edhe për synime studimore të mëtejshme.
- 3158 lexime