Më 25 gusht 2014, pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi" u çel shkolla verore gjermane me temë: “Bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri, Mal i Zi, Kosovë për një zhvillim të përbashkët drejt integrimit evropian”. Ky bashkëpunim përfshin fushën e mjedisit, turizmit, zhvillimit social – ekonomik, si dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Shkolla verore gjermane hapet për herë të tretë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi" dhe do të vijojë veprimtarinë e saj për dy javë. Përmes saj do të zhvillohen leksione, seminare, praktikume dhe eskursione turistike në Alpe në të dy anët e kufirit. Kjo veprimtari u bë e mundur në saje të një partneriteti të DAAD (Akademia Gjermane e Bashkëpunimit me Jashtë), Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi", Universitetit të Tiranës, Universitetit Bamberg (Gjermani) dhe të Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Pjesëmarrës të kësaj shkolle do të jenë studentë gjermanë të programeve të ndryshme të studimit. Brenda këtyre veprimtarive shkolle janë përfshirë edhe studentë të disa degëve të universitetit tonë.
Me këtë rast në sallën e konferencave të Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi" u organizua një ceremoni e hapjes së kësaj shkolle verore. Rreth synimeve të saj foli pedagogu i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhimitër Doka. Në fjalën e tij zv.rektori i USH-së, prof. as. dr. Fatmir Vadahi shprehu bindjen për impaktin dobiprurës të kësaj shkolle verore qoftë për studentët gjermanë, qoftë për ata shqiptarë. Këtë veprimtari e përshëndeti edhe znj. Christiane Wolters atashe kulturor në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Prof. dr. Mahir Hoti bëri për të pranishmit një prezantim të shkurtër të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi". Urime dhe falënderime shprehën dr. Matias Bicker pedagog në Universitetin e Bambergut (Gjermani) dhe prof. as. dr. Edlira Bushati përgjegjëse e departamentit të gjermanistikës në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Qëllimi është që në këto dy javë të studiohet hapësira ndërkufitare mes vendeve tona dhe të shikohen mundësitë e mëtejshme të zhvillimit të rajonit. E gjitha kjo do t’u shërbejë studentëve në përgatitjen e temave të tyre.
- 2119 lexime