Konsullata e Nderit e Italisë në Shkodër në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Bashkinë e Shkodrës organizuan konferencën: “La Via Egnatia: la via tra occidente ed oriente” me pjesëmarrjen e prof. Mario de Matteis.
Veprimtarinë shkencore e hapi Konsulli i Nderit i Italisë në Shkodër z. Vito Stigliani, i cili vlerësoi shumë këtë leksion të prof. De Matteis . “Rruga “Egnatia” është një tregues i lidhjeve historike që ekzistojnë midis Italisë dhe Shqipërisë. Në të njëjtën kohë kjo rrugë përfaqëson edhe vazhdimësinë e këtyre lidhjeve”.
Në konferencë përshëndeti në emër të Bashkisë së Shkodrës znj. Lejla Zorba, e cila u shpreh se ligjërata e prof. Mario de Matteis ka zgjuar interesin e shumë të pranishëmve.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof. as. dr. Mimoza Priku, ndër të tjera theksoi se rruga “Egnatia” përfaqëson denjësisht historinë tonë. “Gjatë këtij leksioni do të na prezantohen të dhëna të reja për këtë rrugë të qëmotshme”.
Duke marrë fjalën prof. Mario de Matteis shprehu kënaqësinë që i drejtohet një auditori të mbushur me studentë. Kjo pjesëmarrje theksoi ai, më ndërmend përvojën personale në universitetet gjermane, ku kam dhënë mësim për shumë vite. Gjatë kumtesës u theksua se përshkrimi i rrugës antike Egnatia [Harta gjeografike1: pjesa shqiptare e Via Egnazia] dhe gjithçka tjetër që gjendet pranë saj në gjatësinë nga Durrës e Apolloni (Shqipëri) deri në Ohër (në Maqedoni), zgjon interesin për të gjithë ata që duan të zgjerojnë njohuritë mbi veçoritë historike, arkitektonike dhe kulturore në territorin ballkanik. Përshkrimi i kësaj rruge është njëri prej kontributeve shqiptare që në kontekstin e Festivalit Ndërkombëtar APPIA-EGNAZIA, realizuar nën kujdesin e Italisë, Shqipërisë, Greqisë dhe Turqisë, u përgatit, duke dokumentuar ato segmente rruge ende të vizitueshme, urat ose gjurmët e tyre dhe vendet e pushimit për ndërrimin e kuajve (mutationes) përgjatë rrugëve që nga Durrësi dhe Apollonia drejtoheshin për në Ohër në Maqedoni.
Ashtu si të gjitha rrugët e njohura romake, edhe via Egnatia ka pasur stationes ose mutationes, që shërbenin për qëndrimin dhe pushimin e udhëtarëve, por edhe të kuajve, shpesh me impiante termale, siç janë ato në Bradashesh (Elbasan), në afërsi të të cilave gjendeshin gati gjithmonë ndërtesa të veçanta, të ashtuquajturat mansiones, një lloj Moteli i kohëve moderne, ku mund të ndërpritej për t’u çlodhur nga udhëtimi i lodhshëm.
Në të njëjtën ditë, më 24 mars 2015, ora 12:15, tek Bashkia e Shkodrës u çel ekspozita “La Via Egnatia”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më datë 15 prill 2015.
- 3484 lexime