Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillon Biblioteka Universitare në ditët kushtuar librit, të enjten, më 23 prill 2015, ora 11:00, në sallën e konferencave “Walter Höflechner”, u zhvillua një takim letrar me shkrimtarin Stefan Çapaliku i titulluar: “Përvujtnija”.
Takimin e hapi drejtuesja e Biobliotekës Universitare, znj. Alida Luka, e cila theksoi se tema e kësaj veprimtarie ngjan shumë origjinale.
Punonjësja e bibliotekës Olimpia Kakarriqi, bëri një prezantim të shkurtër të veprimtarisë dhe krijimtarisë letrare të shkrimtarit Stefan Çapaliku.
S. Çapaliku ka një krijimtari të gjerë letrare, ku mund të përmendim: “Asgjë më shumë se kaq s’ka ndodhë” (Poezi, 1993), “Kohë e ndalun”, (Poezi, 1994), “Kronikë në lindje” (Roman, 1996), “Fjalë për fjalë” (Poezi dhe prozë, 2000), “Tregime për Anën” (Tregime, 2002), “Pesë drama dhe një korn anglez” (2003), “Allegretto Albania dhe drama të tjera” (2006), “Pesë komedi të përgjakshme”, si dhe studimet: “Fishta satirik” (1995), “Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare” (1997), “Letërsia e interpretuar” (1998), “Estetika moderne” (2004), “I vetëm në Evropë dhe shkrime të tjera për kulturën”(2006), “Libri i vogël i dramatikës”(2011), etj..
Duke marrë fjalën në këtë takim, prof. dr. Stefan Çapaliku u shpreh se ka punuar si pedagog në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe në një farë mënyre ndihet akoma pjesë e tij. Ai u ndal edhe tek lidhjet e tij të fuqishme me teatrin “Migjeni”. “Kam kënaqësi të komunikoj me ju në këto ditë që i kushtohen librit. Rastësisht gjeta në shtëpinë time të vjetër një bllok të vogël me tituj librash dhe datat kur i kisha lexuar ato. Në këto shënime ishin edhe autorët, por çuditërisht mungonin përkthyesit. Leksionin e sotëm të titulluar “Përvujtnia” kam dëshirë që t’ia dedikoj dy përkthyesve Pashko Gjeçi dhe Gjon Shllaku”. Më tej ai u ndal në etimologjinë e fjalës “përvujtni”, duke bërë një shëtitje në mendimin intelektual dhe filozofik rreth këtij koncepti. Për të pranishmit ai tregoi dy histori jetësh të përvuajtura përkthyesish siç ishin: Pashko Gjeçi dhe Gjon Shllaku, të cilët sollën në letërsinë shqipe në kushtet e një ferri diktatorial, disa kryevepra letrare.
Kjo veprimtari letrare, e cila u ndoq me interes nga pedagogë dhe studentë, vijoi me diskutime, pyetje dhe përgjigje rreth përkthimit e procesit krijues letrar.
- 2337 lexime