Në sallën e konferencave të Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u promovua monografia e muzikologut të njohur Ferid N. Bala, e titulluar “Kënga dhe këngëtarët shkodranë”.
Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e Ambasadës Austriake, Konsullatës së Nderit të Austrisë në Shkodër dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Merrni pjesë autoritete qendrore e lokale, specialistë të fushës së muzikës, pedagogë dhe studentë.
Duke hapur promovimin pedagogu i muzikës z. Gjon Shllaku radhiti pjesët me të rëndësishme të veprave të autorit Ferid N. Bala, si dhe bëri një vlerësim për librin e tij më të fundit. Kompozitori dhe studiuesi i muzikës Zhani Ciko në fjalën e tij çmoi punën e palodhur të studiuesit Bala në lëmin e këngës popullore shkodrane, e cila sipas tij është një sistem kompleks. Z. Frano Kulli i Entit Botues “Gjergj Fishta” u shpreh i kënaqur që është botues i kësaj monografie enciklopedike, sepse evidenton këngë dhe këngëtarë, të cilët për nga cilësia dhe mjeshtëria i shërbejnë identitetit tonë kombëtar. Studiuesi nga Gjakova Behar Arllati theksoi se kjo është një monografi e përgatitur nga një dorë shumë profesionale.
Ky libër botohet me rastin e 10-vjetorit të hapjes së Konsullatës së Nderit të Austrisë në Shkodër. Z. Gjergj Leqejza (Konsull Nderi i Austrisë në Shkodër) solli emocionet personale që lidhen me autorin dhe projektin e botimit të këtij libri. Në të njëjtën kohë ai iu referua edhe vëmendjes edhe kontributit të vazhdueshëm të Austrisë për kulturën shqiptare. Kësaj vëmendjeje dhe interesi iu bashkua në fjalën e tij edhe ambasadori i Austrisë, z. Thomas Schnöll.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sporteve znj. Nora Malaj, në përshëndetjen e saj, falënderoi autorin për këtë studim, që është një vlerë e shtuar në fushën e muzikologjisë shqiptare. Z. Zef Çuni, zëvendësministër i Kulturës, e cilësoi këtë vepër si një gur të rëndësishëm në kulturën shqiptare.
Mes emocionesh të veçanta autori Ferid N. Bala falënderoi të gjithë të pranishmit për fjalët e mira dhe për respektin e treguar.
Nga parathënia e monografisë do të citonim: “Libri ka si qëllim kryesor që të evidentojë vlerat artistike në interpretim, prandaj unë kam marrë në analizë veç vlerave vokale edhe vlerat interpretative të tyre, të ruajtjes, por edhe të përpunimit me taban lokal dhe kombëtar gjatë interpretimit ”.
- 3615 lexime