Në kuadër të “Javës XIV të gjuhës italiane në botë”, më 22 tetor, ora 9:30 tek Auditori 3 pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u bë prezantimi i librit “Prometeu në Shqipëri” (Prometeo in Albania), në prani të autorit Mauro Geraci.
Ky aktivitet çeli një seri veprimtarish që do të zhvillohen nën kujdesin e Ambasadës Italiane në Tiranë, Institutit Italian të Kulturës, Konsullatës Italiane në Shkodër dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Veprimtarinë e hapi Konsulli i Nderit i Italisë në Shkodër, z. Vito Stigliani, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe uroi mbarësi për të gjitha aktivitetet, që do të organizohen në kontekstin e “Javës XIV të gjuhës italiane në botë” me temë: “Të shkruash një Evropë të re – Botimet italiane, autorë dhe lektorë në erën dixhitale”.
Pedagogu Carmine di Giandomenico, lektor i gjuhës italiane në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prezantoi eventet kryesore, që do të zhvillohen në Shkodër dhe Lezhë.
Dr. Elindë Dibra, përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, bëri një analizë të shkurtër të librit të autorit Mauro Geraci.
Duke folur për librin autori Mauro Geraci, pedagog i antropologjisë kulturore në Universitetin e Mesinës ndër të tjera u shpreh se “Prometeu në Shqipëri” (Prometeo in Albania) i shtëpisë botuese “Rubbetino”, është një rrugëtim letrar dhe politik në një vend ballkanik, siç është Shqipëria. Pasi falënderoi të pranishmit dhe organizatorët, autori theksoi se kërkimet antropologjike janë të lidhura së pari me përvojat jetësore, si dhe kanë të bëjnë me pikëvështrimet autoriale. Prof. Geraci vuri në dukje se duke parë Shqipërinë i tërhoqën vëmendjen fenomenet letrare dhe botimet qoftë nga ana sasiore, qoftë nga ana cilësore. “Ky libër shtjellon dhe analizon ndikimin e fenomenit të botimeve shqiptare në transformimet historike të Shqipërisë postkomuniste”.
Shkrimtari Visar Zhiti duke komentuar përshtypjen e tij për librin u shpreh: “Më ngjan se “Prometeu në Shqipëri” ka zhurmën e një panairi të librit.” Zhiti theksoi se ky libër i ka thyer rregullat akademike. “Në të më shumë sesa hierarki vlerash, ka hierarki të vërtetash”
Takimi vijoi në formën e një dialogu mes autorit, pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.
Bashkëngjitur do të gjeni edhe kalendarin e eventeve kulturore, që do të organizohen gjatë kësaj periudhe në kontekstin e “Javës XIV të gjuhës italiane në botë”.
- 2694 lexime