Departamenti i Psikologjisë dhe Punës Sociale, me iniciativën e studentëve, si dhe me mbështetjen e Dekanatit të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, organizoi ditën e mërkurë, më datë 16 korrik 2014, një ceremoni diplomimi të studentëve të degëve Psikologji dhe Punë Sociale, për vitin akademik 2013-2014. Veprimtaria u zhvillua në orën 18:00 në teatrin “Migjeni”. Merrnin pjesë prindër, familjarë dhe të afërm të studentëve të diplomuar.
Në këtë aktivitet përshëndeti zv.rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.as.dr. Fatmir Vadahi, i cili ndër të tjera u shpreh: “Sot, të gjithë ju diplomantë, normalisht përjetoni emocionin e ndarjes dhe në të njëjtën kohë hidhni sytë nga e ardhmja juaj, vështroni e mendoni për rrugën e re që do të nisni pas këtij momenti shumë të rëndësishëm, por edhe pedagogët tuaj ndihen mirë, kur shohin që me punën e tyre bënë që ju të jeni të orientuar saktë për jetën, të përgatitur për sfidat që mbart ajo brenda vetes.Për të gjithë ju diplomantë, sot mbyllet një fletë e jetës suaj për t’u hapur një tjetër, për disa ajo e thellimit të studimeve dhe disa të tjerë e fillimit të aktiviteteve të ndryshme në jetë. Qofshi të gëzuar kudo që të jeni! Shumë urime e shumë suksese për të gjithë!”.
Drejtorja e Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale, dr. Fatbardha Osmanaga falënderoi studentët dhe në veçanti prindërit, që u besuan shkollimin e fëmijëve të tyre, stafit të Fakultetit të Shkencave të Edukimit.
Suksese të mëtejshmë në rrugëtimin e tyre profesional u uroi edhe pedagogu Arben Hoti. Studentët Arjet Previzi dhe Myzejen Uka shprehën një mirënjohje të thellë për pedagogët e këtij fakulteti.
Zv.Dekane e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, dr.Brilanda Lumanaj në fjalën e saj theksoi se ndihem e privilegjuar që po marr pjesë në këtë ceremoni diplomimi. “Ju sot mbaruat tre vite akademike, por me dëshirë dhe me vullnet ju mund të vazhdoni të jepni më shumë për veten dhe komunitetin. Bashkohem me gëzimin tuaj studentë dhe prindër. Urime në jetën dhe profesionin tuaj!”
Për të pranishmit u shfaq edhe një dokumentar me foto të përgatitura nga studentët e Departamentit të Psikologjisë.
Përshëndeti edhe pedagogia Bujana Topalli.
Veprimtaria u mbyll me shpërndarjen e certifikatave të vlerësimit, si dhe disa dhurata simbolike për studentët më të dalluar.
- 2552 lexime