Ditën e shtunë, më dt.14.12.2013, në sallën e senatit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u organizua një tryezë e rrumbullakët me temë: “Gjakmarrja dhe sfidat e drejtësisë”. Nismëtare e këtij takimi ishte Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë. Ky event zhvillohej për të evidentuar përmasat shqetësuese që ka marrë fenomeni i gjakmarrjes dhe i ngujimit, si dhe për të bërë të mundur parandalimin dhe zbutjen e këtij fenomeni që është shqetësues, sidomos për zonat e Veriut.
Duke marrë fjalën, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, pasi falënderoi të pranishmit, ndër të tjera theksoi: “Fenomeni i gjakmarrjes është ende i pranishëm. Përmes këtij takimi unë dua të shpreh vullnetin e prokurorisë, për ta goditur këtë fenomen. Ne kemi të dhëna të sakta për familjet e përfshira në gjakmarrje”.
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, u shpreh se e ka pritur me kënaqësi këtë ftesë të Prokurorit të Republikës.“E vetmja mënyrë për të luftuar gjakmarrjen është bashkëveprimi midis institucioneve dhe shoqërisë civile. Gjakmarrja dhe ngujimi sjellin shkeljen e të drejtave të njeriut. Si pasojë e kësaj qytetarëve u mohohet e drejta për të lëvizur, për t’u arsimuar dhe për të votuar. Të krijojmë një aleancë qytetare me të gjithë aktorët: komunitetet fetare, universitetet, shoqërinë civile për ta fituar këtë luftë”, përfundoi Totozani.
Në këtë tryezë diskutuan: Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Cannon; Kryetari i Këshillit të Qarkut, Shkodër, z. Maxhid Cungu dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, z. Gëzim Dibra, pohoi se tek Fakulteti që ai drejton ekziston një qendër këshillimi, e cila ka krijuar profilin e vet dhe ka kontribute në drejtim të trajnimeve psikologjike të studentëve dhe të qytetarëve me probleme të ndryshme. “Kjo tryezë do të krijojë premisa për një gërshetim më të sofistikuar të veprimeve dhe të përvojave, duke hapur një dritë jeshile bashkëpunimi mes aktorëve që duhet të jenë aktivë në këtë proces të luftës kundër gjakmarrjes dhe ndikimeve negative që ajo mbart”.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë: Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Artan Haxhi, Prefekti i Qarkut Shkodër, z. Paulin Radovani, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka, si dhe autoritete të tjera drejtuese të gjykatave, prokurorive rajonale, përfaqësues të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të Policisë së Shtetit.
- 2446 lexime