- Shqip
- English
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka planifikuar një fushatë informimi në universitete të ndryshme shqiptare në datat 12-16 tetor 2015.
Me këtë rast, kjo ambasadë organizoi një prezantim të shkurtër me studentët e fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mbi programin e bursave “Chevening” për studime të nivelit master në Mbretërinë e Bashkuar.
Në takimin që u zhvillua në Sallën e Konferencave të Bibliotekës Shkencore Universitare merrte pjesë edhe zv. Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Stephen Hickling. Në prezantimin e tij, z. Hickling theksoi se network-u “Chevening” është një rrjet global.
“Ne kërkojmë kandidatë potencialë për këtë vit dhe vitet e ardhshme akademike. Qëllimi i këtyre bursave nuk është vetëm ana akademike, por edhe ajo sociale. Për ne ka rëndësi njohja me kultura të ndryshme, si dhe më mënyra të ndryshme për trajtimin e çështjeve. “Chevening” ofron bursa 1-vjeçare për studimet master dhe natyrisht që studentët duhen të kenë një njohje shumë të mirë të gjuhës angleze. Më 3 nëntor 2015 përfundon aplikimi për këtë vit. Aplikantët janë nga 160 shtete të botës dhe aplikimet bëhen online”.
Një paraqitje të detajuar i bëri këtij programi znj. Marsida Gjonçaj, përgjegjëse e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar. “Chevening” është një program prestigjioz bursash që i mundëson studentëve shqiptarë të ndjekin studimet master në çdo universitet të Mbretërisë së Bashkuar. Bursa mbulon tarifat e shkollimit, shpenzimet e jetesës, financon udhëtimin Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar (vajtje-ardhje), si edhe një kuotë për përgatitjen e disertacionit të diplomës. Për më shumë informacion mbi programin mund të shihni në faqen elektronike:http://www.chevening.org/
Në fund të takimit, studentët dhe pedagogët pjesëmarrës bënë shumë pyetje, duke shfaqur kështu mjaft interesim për këtë program bursash studimi.
- 2913 lexime