- Shqip
- English
Më datë 14 tetor 2014, tek Departamenti i Gjermanistikës u zhvillua një takim me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, z. Hellmut Hoffmann. Qëllimi i takimit ishte njohja nga afër e punës së kontribuesve dhe protagonistëve kryesorë për përhapjen, kultivimin e gjuhës dhe kulturës gjermane. Ambasadori u informua nga përgjegjësja e Departamentit të Gjermanistikës, prof. as. dr. Edlira Bushati, mbi gjendjen aktuale të këtij Departamenti, mbi perspektivat dhe vështirësitë e këtij programi studimi.
Vizita u zhvillua në ambientet e Fakultetit te Gjuhëve të Huaja, tek Departamenti i Gjermanistikës. Të pranishëm ishin: Rektori i Universitetit, prof. dr. Artan Haxhi, zv. Rektori prof. as. dr. Fatmir Vadahi, Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof. as. dr. Rajmonda Këçira, pedagogë, mësues të gjuhës gjermane në shkolla të mesme, studentë dhe nxënës.
Në fjalën e tij ambasadori u shpreh se ka ndërmarrë një tur vizitash në disa qytete të vendit në kuadër të këtij muaji të gjuhës dhe kulturës gjermane. Në këtë kontekst Shkodra është një qytet që dallohet për lidhjet që ka me kulturën gjermane edhe përmes Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Ai falënderoi përgjegjësen e Departamentit të Gjermanistikës, prof. as. dr. Edlira Bushati për ftesën dhe këshilloi pedagogët e këtij departamenti, që të nxisin të rinjtë studentë për të studiuar gjuhën gjermane. Ndër të tjera ambasadori theksoi që ia vlen të studiohet gjermanishtja, sepse Shqipëria tashmë ka përparuar drejt integrimit në Bashkimin Evropian, pjesë e rëndësishme e të cilit janë rreth 80 milion gjermanishtfolës. Në këtë kuadër shqiptarët që njohin gjuhën gjermane mund të gjejnë mundësi të ndryshme udhëtimi, studimi apo punësimi. Duke përfunduar z. Hoffmann kujtoi shprehjen e vjetër gjermane “Ohne Fleiss gibt es keinen Preis” (Pa punë nuk ka shpërblim).
- 1762 lexime