Në Sallën e Konferencave të Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua më datë 13.09.2014 një veprimtari promovuese e librit “Binjaku i Nënë Terezës” i autorit Ndriçim Kulla.
Organizimi i kësaj veprimtarie ishte fryt i bashkëpunimit të Bibliotekës Publike “Marin Barleti” (Shkodër) dhe Bibliotekës Shkencore Universitare.
Libri “Binjaku i Nënë Terezës” i kushtohet albanolologut, studiuesit, bizantologut dhe orientalistit, Atë Giuseppe (Zef ) Valentini S.J.
Në hyrje të kësaj biografie autori Ndriçim Kulla ndër të tjera shkruan: “Duam s’duam, mes Atë Zef Valentinit dhe Nënë Terezës ka një lidhje tjetër të llojit feedback. Ne shqiptarët nderuam në mënyrën që e meritonte Nënë Terezën, një misionare të madhe, e cila veproi kryesisht në Indi, për shkak se ajo ishte shqiptare, dhe kjo përbënte një dëshmi të madhe të qytetërimit të shqiptarëve. Por, po kështu duhet të tregojmë se jemi të qytetëruar në rast se dimë të nderojmë misionarin më të madh të huaj që erdhi në Shqipëri dhe punoi pareshtur për të e për shqiptarët. Dhe ky misionar ishte Atë Zef Valentini.”
Rreth librit, veprës dhe rolit të Atë Zef Valentini për kulturën shqiptare në këtë promovim referuan:
Prof. dr . Liman Varoshi
Prof. dr. Gjergj Sinani
Prof. dr. Ksenofon Kristafi
Atë Mario Imperatore
Ndriçim Kulla (autori)
Atë Zef Valentini lindi në Padova më 1 korrik 1900. U shugurua prift më 15 korrik 1930. U vendos në Shqipëri në vitin 1935, ku kreu misionin e tij fetar, por edhe një sërë studimesh në sfera të ndryshme të kulturës shqiptare. U largua nga Shqipëria në vitin 1944. Më vonë drejtoi në Milano revistën “Letture”.
Valentini është autor i disa veprave të rëndësishme në fushën albanologjike dhe të së drejtës zakonore, mes të cilave mund të përmendim: “Kontribute në kronologjinë e historisë së Shqipërisë”, “Studime dhe tekste kritike letrare”, “Studime dhe tekste juridike”, “Studime albanologjike, ballkanologjike dhe bizantine”, “Studime dhe tekste historike”, “Ligji i maleve shqiptare”, “Statuti personal në Shqipëri në epokën e Skënderbeut”, “Fjalor Bio-bibliografik Iliro-Shqiptar”, etj..
Një nga veprat e tij më madhështore konsiderohet “Acta Albaniae Veneta”, e cila shtrihet në 25 vëllime dhe përmban të dhëna të rëndësishme rreth historisë së Shqipërisë, të mbledhura në arkivat dhe bibliotekat më të njohura të Evropës.
Atë Giuseppe (Zef ) Valentini vdiq më 16 nëntor 1979.
Promovimi i librit biografik “Binjaku i Nënë Terezës” në Bibliotekën Shkencore Universitare, pohoi rishtazi vendin dhe rëndësinë e merituar të figurës së Atë Zef Valentini në kujtesën dhe enciklopedinë shqiptare.
- 1843 lexime