Ditën e mërkurë, më 10.02.2016, ora 11:00, në Sallën e Konferencave të Bibliotekës Shkencore Universitare u organizua një takim prezantues i klubeve studentore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në këtë veprimtari u promovua revista “Vizion” produkt i këtyre klubeve studentore.
Klubet studentore janë finalizimi i punës së një grupi studentësh të mbështetur nga Fondacioni Arsimor Shqiptar, të cilët synojnë krijimin e hapësirave të reja për studentët, rritjen e bashkëpunimit midis tyre, si dhe krijimin e një ure midis auditoreve të fakultetit dhe praktikës në terren. Në këtë aktivitet u prezantuan 4 klubet studentore që janë themeluar aktualisht. Ato janë: klubi i ekonomisë, klubi i mësuesisë, klubi i sportit, klubi i gazetari-psikologjisë.
Në këtë takim përshëndeti edhe dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani, e cila ndër të tjera u shpreh: “Më vjen mirë që më ftuat të jem pjesë e kësaj veprimtarie promovuese dhe që me bëtë pjesë të numrit të parë të revistës suaj, përmes intervistës së botuar. Ju përgëzoj për nismën që keni ndërmarrë, për të gjallëruar jetën studentore”.
Programi i aktivitetit vijoi si më poshtë:
Videoprezantim i klubeve studentore
Prezantim i klubeve studentore dhe i projekteve nga Nensi Dragoti, koordinator i klubeve
Fjalë përshëndetëse nga z. Brilant Ciroka, përfaqësues i biznesit
Disa nga projektet në vazhdim do të jenë:
1. Portofoli një ekonomisti
2. Panairi Shkencor
3. Mësuesi më i mirë
4.Mentorship Program
5.Turi “Të njohim Shqipërinë”
- 4048 lexime