Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi" dhe Universiteti i Malit të Zi rinovuan marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve të arsimit të lartë, që jo vetëm synon objektiva të larta akademike për secilin nga institucionet, por edhe promovimin e punës së fakulteteve, të pedagogëve dhe studentëve.
Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Artan Haxhi dhe rektorja e Universitetit të Malit të Zi, prof. Radmila Vojvodić nënshkruan këtë marrëveshje bashkëpunim në ambientet e rektoratit të USH-së. Sipas këtij dokumenti, të dy universitetet do të angazhohen për të siguruar fondet e nevojshme, si dhe në emërimin e autoriteteve kompetente të Universitetit të Malit të Zi dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në funksion të bashkëpunimit.
Kjo marrëveshje synon:
1. Mësimdhënie të përbashkët për lëndë të caktuara.
2. Shkëmbim eksperience mes pedagogëve të fakulteteve.
3. Pjesëmarrje në seminare, takime akademike dhe projekte të përbashkëta.
4. Shkëmbim të materialeve akademike dhe informacioneve të tjera.
5. Programe të përbashkëta kulturore.
6. Pjesëmarrjen e pedagogëve nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në komisionet e mbrojtjes së temave të masterave dhe doktoraturave në Mal të Zi.
Kjo marrëveshje është e vlefshme për dy vite akademike. Palët nënshkruese theksuan gjatë takimit se rinovimi i këtij dokumenti vjen si rezultat i një bashkëpunimi shumëvjeçar të suksesshëm mes këtyre universiteteve.
- 1995 lexime