Ditën e premte, më 8 maj 2015, ora 10:30, në sallën e konferencave të Bibliotekës Universitare, u bë promovimi i librit “Mos më thuaj që ke frikë” (Non dirmi che hai paura) i autorit Giuseppe Catozzella.
Kjo veprimtari ishte bashkëpunim i Institutit Italian të Kulturës dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Giuseppe Catozzella është i njohur si autor poezish, romanesh, tregimesh dhe reportazhesh. “Mos më thuaj që ke frikë” (Non dirmi che hai paura) është romani i tij i tretë pas “Espianti” (2008) dhe “Alveare” (2011).
Romani “Mos më thuaj që ke frikë” (Non dirmi che hai paura), që u prezantua sot në Bibliotekën Universitare, është fitues i çmimit “Strega Giovani 2014”. Autori Catozzella përshkruan pa rënë në patetizëm, dramën që përjeton Samia, një vajzë nga Mogadishu. Kjo vajzë është e lindur për të vrapuar dhe ëndërron që të jetë pjesëmarrëse e Lojërave Olimpike të Londrës 2012.
Takimi promovues zgjoi interesin e pedagogëve dhe studentëve të USH-së.
- 2021 lexime