Fakulteti i Shkencave Shoqërore i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Toena”, organizuan ditën e premte, më datë 8 nëntor 2013, promovimin e librit “Fjalori rimor i Dritëro Agollit” i autorit Mina Gero .
Prof. dr. Tomor Osmani, mbajti kumtesën “Mina Gero dhe vepra “Fjalori rimor i Dritëro Agollit””. Ndër të tjera ai theksoi se e veçanta e këtij tubimi nuk është thjesht promovimi i kësaj monografie. Me këtë rast ne do të vlerësonim zellin, dëshirën, pasionin e autorit për të mos u shkëputur nga puna krijuese dhe studimore. “Mina Gero ka dëshmuar se ka një vullnet të paparë, duke arritur të hartojë një vepër të tillë madhore larg shqipfolësve, larg auditoreve dhe studiuesve shqiptarë”.
Prof. dr. Tefë Topalli, mbajti kumtesën “Një vepër gjuhësore që del nga poezia”. Folësi theksoi se vepra gjuhësore e Mina Geros, dëshmon se monumentet letrare që ngrejnë lëvruesit dhe mjeshtrit e shqipes, si Dritëro Agolli, janë njëkohësisht edhe monumente gjuhe. “Studiuesi Mina Gero ka mundur të dallojë nga vargu i poetit edhe të fshehtat e nivelit fonetik, lojën me tingullin dhe grupet e tyre, alternimet që bën poezia për t’u ngritur në lartësinë e shprehjes”.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof.as.dr. Mimoza Priku, u shpreh: “Sot po promovojmë një vepër të rëndësishme, së pari, se ajo përbën një risi në studimet e sotme të shqipes, kurorëzuar me një punim të plotë e luksoz, për fjalorin rimor të shqipes të shkrimtarit Dritëro Agolli; së dyti, për nga rendi e jo për nga rëndësia, kjo vepër është hartuar nga profesori dhe kolegu ynë shumë i nderuar, studiuesi Mina Gero”.
Prof.as.dr. Rrezarta Draçini, përgjegjëse e departamentit të gjuhësisë, theksoi se “Të studiosh gjuhën e një shkrimtari, do të thotë të hysh dhe të kuptosh lojën që ai bën me ekzekutimin gjuhësor, të shikosh aftësinë që ka ai në përzgjedhjen e lemave dhe të strukturave gjuhësore, që të ndikojë dhe të provokojë mendjen e lexuesit. Pikërisht këtë gjë ka bërë profesor Mina Gero me librin e tij. Ka zbërthyer gjuhën poetike të Dritëro Agollit, lojën emocionale që bën poeti i madh, ndërsa luan me fjalët. Gero e ka dekodifikuar këtë lojë në elemente gjuhësore dhe na ka dhënë një model shumë interesant se si duhet të bëhet një studim i tillë”.
Në këtë promovim përshëndeti edhe ish-rektori i Universitetit, prof. dr. Mahir Hoti, i cili solli kujtimet dhe emocionet e tij në punën shumëvjeçare me kolegun Mina Gero. Ai e vlerësoi këtë të fundit si një punëtor të madh dhe një studiues me vlerë.
Një tjetër vlerësim për veprën, erdhi në këtë takim promovues edhe nga prof. dr. Alfred Çapaliku, i cili duke hyrë në dialog me profesor Geron, theksoi se rima e Agollit funksionon vetvetiu dhe ka një ndikim të madh nga poezia popullore dhe rima e saj.
Duke marrë fjalën autori i librit Mina Gero, shprehu kënaqësinë dhe falënderimet e tij, për kolegët dhe studentët, që bënë të mundur organizimin e këtij promovimi. “Sot m’u dha mundësia që të vij pas 13 vjetësh dhe të komunikoj me ju. Këtë takim e ndjej në thellësi të shpirtit dhe do ta mbaj mend për një kohë të gjatë”. Me këtë rast ai solli përshëndetjet e poetit Dritëro Agolli. “Përhapeni librin në dobi të kulturës! Duhet të punojmë për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare”, përfundoi studiuesi Mina Gero.
Nga pasthënia e këtij volumi informohemi se ky është i pari fjalor i këtij lloji gjer më sot i botuar në gjuhën shqipe. Fjalori pasqyron pasurinë rimore të poezisë së Dritëro Agollit, si dhe pasurinë gjuhësore që është hedhur në përdorim në funksion të rimës. Të gjitha lidhjet rimore poetike të kësaj poezie janë paraqitur në dy trajta: a- në formën e lidhjeve rimore gjuhësore, sipas rendit alfabetik të fjalës titull; b- në trajtën e fjalësit. Në poezinë agolliane, në funksion të rimës janë aktivizuar 7700 njësi semantike. Ndër pesëdhjetë fjalët më të përdorura, në këtë funksion, vendin e parë e zë fjala unë, e përdorur 780 herë. Më shumë se 2000 frazeologji e shprehje janë hedhur në përdorim. Ja edhe disa të dhëna të tjera statistikore rreth dendurisë së përdorimit të fjalëve në funksion rimor: në krye të pjesëve të ligjëratës qëndrojnë emrat, të përdorur 47 668 herë. Fjalët dhe format e ndryshme të fjalëve me theks parafundor janë përdorur 74 175 herë. Format e fjalëve me dy rrokje gjenden të përdorura 53 749 herë. Rreth 280 skema rimore ndeshen në poezinë e Agollit. Në strofat me gjashtë vargje janë përdorur 49 lloje skemash rimore. Sipas sasisë së përbërësve rimorë, vendin e parë e zënë lidhjet rimore dyshe që kapin shifrën 43 367. Edhe vetëm këto pak të dhëna dëshmojnë mirëfilli se gjuha shqipe ka edhe aftësi të shumta rimëformuese. Fjalori u drejtohet, në radhë të parë, studiuesve dhe krijuesve që lëvrojnë poezinë rimore. Si gjithnjë, ata do të kenë pranë këshillën, përkrahjen dhe trashëgiminë e vyer edhe të poetit të madh Dritëro Agolli.
- 2692 lexime