Ditën e premte, më datë 05 qershor 2015, ora 11:00, në Sallën e Konferencave (A3) pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Departamenti i Gjuhësisë dhe Shoqata “Martin Camaj” organizuan me rastin e 90-vjetorit të lindjes së albanologut të madh Martin Camaj një veprimtari përkujtimore me titull: “Camaj mes brezash. Unë jam i jueji, e ju jeni të mijt”.
Veprimtarinë e drejtoi përgjegjësja e Departamentit të Gjuhësisë, prof. as .dr. Rrezarta Draçini. Duke marrë fjalën rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi theksoi: “Universiteti i Shkodrës me aktivitetet shkencore dhe promovuese që ka zhvilluar për këtë personalitet të kulturës shqiptare është në vazhdën e përpjekjeve për të mundësuar njohjen e plotë dhe sistemore të veprës së Camajt, si pjesë e traditës së mirë letrare shqiptare, duke hedhur dritë mbi mjaft vepra dhe kontribute të këtij autori, shumë prej të cilave të patrajtuara, të injoruara ose të interpretuara në mënyrë të njëanshme e jo nga pozita shkencore gjatë periudhës së regjimit totalitar apo edhe më vonë prej kundërshtarëve të gegërishtes letrare”.
Znj. Erica Camaj, bashkëshortja e Martin Camajt, ndau emocionet e saj me të pranishmit. “Qysh kur kam ardhur për herë të parë në këtë vend, para 20 vjetësh, jam ndjerë si në shtëpinë time. Ju falënderoj shumë për miqësinë tuaj, e cila do të zgjasë gjithmonë”.
Prof. dr. Tomor Osmani referoi kumtesën: “Camaj në 90-vjetorin e lindjes (1925-2015)”. Në përfundim të kësaj kumtese prof. Osmani u shpreh: “Martin Camaj mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar jo vetëm nga opinioni shkodran, por nga e gjithë kultura shqiptare. Ai ishte mjeshtër i fjalës dhe kështu mbetet sot e gjithë ditën”.
Interes paraqiti edhe kumtesa e prof. dr. Alfred Çapalikut: “Afri dhe dallime midis Ungaretit dhe Camajt”.
Veprimtaria vijoi me një dokumentar të shkurtër për jetën dhe veprën e Camajt i konceptuar nga prof. as .dr. Mimoza Priku.
Aktoret e teatrit “Migjeni”: Merita Smaja dhe Rita Gjeka e përfunduan këtë aktivitet përkujtimor me një montazh poetik nga krijimtaria e Martin Camajt, që u përcoll me shumë emocion nga pjesëmarrësit.
Martin Camaj (1925-1992) është shumë i njohur si shkrimtar, gjuhëtar, filolog. Lindi në Temal të Dukagjinit. Pas mësimeve të para, ndoqi Kolegjën Saveriane në Shkodër dhe punoi për një vit si mësues në malësi. Më 1948, u arratis nga Shqipëria, duke u vendosur në fillim në Jugosllavi, ku më 1949, filloi studimet e larta për romanistikë e ballkanologji në Universitetin e Beogradit. Në vitin 1956-1960 kreu Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Romës dhe u caktua lektor i gjuhës shqipe në atë universitet. Për shumë vite qe kryeredaktor i revstës “Shejzat”. Më 1961 vendoset në Gjermani, ku pasi mbrojti doktoratën në fushën e albanologjisë, u emërua në vitin 1965, docent i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Mynihut dhe më pas titullar katedre (1971-1990). Mbajti lidhje të ngushta më bashkëkombësit përmes diasporës shqiptare dhe Kosovës. Vdiq në Lenggries të Gjermanisë, më 01.03.1992.
Në fillimet e krijimtarisë poetike të M.Camajt, ndihet mbështetja në mjetet artistike tradicionale e folklorike. Vëllimet e para frymëzohen nga motive të vendlindjes. Në një kohë të mëvonshme, që mund të konsiderohet si faza e dytë (“Legjenda”, Romë, 1954), Ai pasuron mjetet shprehëse me struktura më të komplikuara gjuhësore, duke mos iu larguar, gjithsesi, tharmit të motiveve vendase. Në strukturën dhe mjetet stilistikore, poezia e tij dëshmon ndikimin nga hermetizmi, çka lidhet me kohën studentore në Romë, kur Camaj, kishte profesor poetin e madh hermetik, Xhuzepe Ungaretin. Më pas, që mund të konsiderohet, si një fazë e tretë, arti i tij bëhet më formal, larg strukturave tradicionale dhe ideve të ditës (“Lirika mes dy moteve”, Mynih, 1967, “Njeriu më vete e me të tjerë”, Mynih, 1978, “Poezi 1953-1967”, Mynih, 1981). Me kalimin e kohës, veçanërisht në vëllimin “Njeriu më vete e me të tjerë”, poezia e M. Camajt, thellon karakterin metaforik e simbolik, zgjeron format e strukturës dhe shprehjes gjuhësore. Tema e kuptimit të jetës e vdekjes, depërtimi në problemet ekzistenciale të njeriut në botën moderne, trajtohen përmes një simbolike tradicionale, madje mitologjike. Kontradiktat njerëzore, kontrastet e jetës, mposhtja e tragjikes, i japin poezisë së tij shpeshherë një tingëllim dramatik. Në poezinë e tij, M.Camaj, ndërton një marrëdhënie të veçantë me lexuesin, duke i dhënë atij një rol të veçantë aktiv. Martin Camaj më poezinë e tij, parapëlqen kryesisht vargun e lirë; ai lëvron me mjeshtëri variantin gjuhësor të gegërishtes; përmes përpunimit mjeshtëror të strukturave metrike dhe kërkimeve stilistikore shpreh qartazi një individualitet të papërsëritshëm në poezinë shqipe.
Po aq i spikatur si individualitet artistik ai shfaqet edhe në fushën e prozës. Vepra e parë në prozë “Djella”, tregim në prozë e vjershë (Romë, 1958), pasohet me romanin “Rrathë”, (Mynih, 1978), që mund të konsiderohet si romani i parë psikologjik shqiptar. Elementi liriko-folklorik shfaqet veçanërisht në përshkrimet e mjediseve të malësisë, të zakoneve dhe të psikologjisë shqiptare. Në themel të romanit qëndron skema e lidhjes së njerëzve sipas rrathëve shoqërorë e metafizikë, realizuar përmes simboleve tradicionale. Thelbin e poetikës së brendshme e përbën, gjithashtu edhe monologu i figurës kryesore. Gegërishtja letrare dëshmon në këtë roman mundësitë e saj shprehëse përmes frazeologjizmave të pasura dhe me ngarkesë figurative.
Ndërsa bërthamën e romanit “Karpa” dhe të vëllimit me proza “Shkundullima”, e përbën kërkimi i rrënjëve të identitetit dhe kërkimi i përmasave të shpirtit artistik të gjuhës. Disi më e veçantë në llojin e saj është vepra “Dranja”, e përshkruar nga mendimi alegorik i shprehur përmes një gjuhe të përpunuar metaforike.
M.Camaj lëvroi edhe gjininë, ku mund të veçoheshin “Loja mbasdrekës” (Mynih, 1981), si dhe “Kandili argjendit” (Kozencë, 1993).
E gjithë krijimtaria letrare dyzetepesëvjeçare e M.Camajt, si dhe proza e tij, synon t’i japë një karakter më universal problematikës shqiptare: mundësia e shqiptarit, elementet mitologjike, veçoritë e peizazhit etj., jepen përmes formave moderne të formësimit artistik.
Si një ndër albanologët e spikatur M.Camaj, la një seri veprash të rëndësishme në fushën e gjuhësisë. Midis tyre: “IL Messale di Gjon Buzuku”, 1961 (“Meshari i Gjon Buzukut”); Albanische Wortbildung, 1966 (“Formimi i fjalëve në shqipe”); “Lehrbuch der albanschen Sprache”, 1969 (“Libër mësimi i gjuhës shqipe”) “La parlata Albanese di Greci in province di Avellino”, 1971 (“E folmja arbëreshe e Greçit në provincën e Avelinos”); “Die albanische Mundart von Falkonara Albanese in der Provinz Cosenza”, 1977 (“E folmja arbëreshe e Falkunarës në krahinën e Kozencës”); “Albanian Grammar”, 1984 (“Gramatikë e shqipes”); “La parlata arbëreshe si San Costandino Albanese in provincial di Potenza”, 1993 (“E folmja arbëreshe e shën Kostandinit në provincën e Potencës”), et. Ai ka botuar edhe një varg studimesh për historinë e gjuhës shqipe, etimologjinë, dialektologjinë, gramatikën, tekstet e vjetra, letërsinë, folklorin etj. Ribotoi veprën “Çeta e Profetëve” të Bogdanit (1977).
Vepra dhe personaliteti i tij u bënë të njohura në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit në vitin 1990, duke u përfshirë në tekstet e letërsisë dhe duke u trajtuar në studime të veçanta shkencore.
- 2475 lexime