Ditën e martë, më dt. 03. 06. 2014, në Sallën e Konferencave të Bibliotekës Universitare, Departamenti i Letërsisë i Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe Instituti i Studimeve Albanologjike zhvilluan konferencën shkencore ndërkombëtare me temë: “200 vjet me De Radën”.
Kjo konferencë u zhvillua në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës. Ky personalitet është i njohur, si: poet, publicist, folklorist, filolog, themelues i letërsisë dhe kulturës arbëreshe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, Mësues i Popullit. De Rada ka luajtur një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare dhe u bë një nga figurat kryesore të saj. Ndikimi i tij te shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh; tradita poetike e krijuar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe sot në letërsinë arbëreshe. De Rada pati letërkëmbim me patriotët shqiptarë, me personalitetet kulturore evropiane, dashamirës të Shqipërisë dhe ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit të trojeve shqiptare. Ai dha ndihmesë të çmuar për çështjen kombëtare me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Zhvilloi veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore; u kushtoi vëmendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre. De Rada është nga të parët studiues shqiptarë të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894), vuri në dukje aspekte dhe dukuri gjuhësore të njohura ose të patrajtuara. Veprat e tij gjuhësore sjellin vëzhgime e materiale me interes për të folmet arbëreshe. Ai bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes me shkronja latine, të plotësuara me disa shenja diakritike. De Rada organizoi dy kongrese gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Ungër (Lungro). Për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq dha me përkushtim mësimin e shqipes në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit, ku kishte studiuar.
Konferencën e hapi dr. Elindë Dibra, përgjegjëse e departamenti të Letërsisë, e cila, pasi bëri një vlerësim për figurën e De Radës, falënderoi studiuesit që marrin pjesë në këtë konferencë duke veçuar studiuesit arbëreshë Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà.
Këtij mendimi vlerësues për punën e studiuesve arbëreshë, iu bashkua në fjalën e saj përshëndetëse edhe dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof. as. dr Mimoza Priku, e cila theksoi: “Falë kontributit të tyre dhe veçanërisht punës së shkëlqyer të profesor Altimarit, kemi sot në dorë kolanën “Opera Omnia” të veprave të De Radës në gjuhën origjinale të tij. Pas një pune të gjatë në sajë të projektit “BESA”, De Radën e kemi edhe më pranë të riprodhuar në formatin e dixhitalizuar, duke u plotësuar edhe me revistën e botuar nga De Rada “Fiamuri Arbërit”.
Prof. dr. Fatbardha Hoxha, drejtuese e Institutit të Studimeve Albanologjike, theksoi se Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, sot duhet të ndjehet i lumtur që arriti të tubojë studiues kaq të rëndësishëm për figurën e De Radës.
Duke marrë fjalën në kumtesën e tij, prof.dr Francesco Altimari, bëri një parantezë përshëndetëse për këtë konferencë, të cilën e konsideroi një konferencë akademike. Ai falënderoi organizatorët për vëmendjen që i kushtojnë personalitetit të De Radës në këtë 200 vjetor të lindjes.
Konferenca i zhvilloi punimet në dy sesione sipas programit të mëposhtëm.
Programi i Konferencës
Prof.dr Francesco Altimari: Botimi kritik i “Këngëve të Milosaut”: për një përqasje të re shumështresore midis oraliteteve dhe shkrimeve.
Prof. dr. Fatbardha Hoxha: Kontributi i Jeronim de Radës në vlerësimet e Eqrem Çabejt dhe të Ernest Koliqit.
Prof.as. dr. Ledri Kurti (Kraja): De Rada: Gjuha, kultura dhe qytetërimi i një Kombi.
Prof. dr Miaser Dibra: Jeronim de Rada për folklorin shqiptar.
Prof.dr Tomor Osmani: Gramatika e De Radës (1870) e para gramatikë e shqipes e shek. XIX e botuar nga një arbëresh.
Prof. dr. Alfred Çapaliku: Figura e motrës në një poemë mozaik të De Radës.
Prof. dr. Eleni Karamitri: Jeronim de Rada në “Trilogia Albanica” të Arshi Pipës.
Prof. dr. Shaban Sinani: Arbëreshi si karakter në letërsinë shqipe: “Karpa” dhe “Kurbani ballkanik”.
Prof.dr. Zeqirja Neziri: Rreth formave metatekstuale të poemës Serafina Topia.
Matteo Mandalà: “Milosao shkodrani”: onomastika letrare e krijimi deradian i një bote narrative paralele.
Dr. Elindë Dibra: Revista “ Shejzat” për personalitetin dhe veprën e De Radës.
Dr. Tonin Çobani- Prof. dr. Tefë Topalli: “Shkodra” (“Scutari”) në veprën e De Radës.
Nicola Scaldaferri: Testi poetici e pratiche musicali nella tradizione arbëreshe: intrecci tra scrittura e oralità:
Dr. Arben Prendi: Bota shqiptare në poemat e Jeronim de Radës.
Dr. Vinçens Marku: Doktorant Ndoj Mhilli: Zgjidhja Deux ex machina tek “Këngët e Milosaos”.
Dr. Ermira Alija: Reflektime të letërsisë qëllimore në veprën e De Radës.
Dr. Gëzim Puka, Gjovalin Çuni: “Fiamuri Arbërit” i De Radës për revistën “Drita” të Shoqërisë së Stambollit.
- 2807 lexime